Për herë të parë zbulohen detaje të ngjarjes që tronditi qytetin e Sarandës, ku persona të maskuar e armatosur grabitën noterin e njohur Thoma Kaçi.
Për ngjarjen në fjalë ndodhen të arrestuar pas njëë pune shumë intensive 15-ditore të policisë, Oltjon Kolonja. alias Oltjon Pula, Vladrias Himaj dhe Elis Avduli, alias Mile Xhafa.
Të dyshuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë akuzën, madje duke kërkuar në një seancë të para pak ditëve edhe “sigurim prove”, për një provë ende të pabërë publike, që sipas të dyshuarve provon pafajësinë e tyre, kërkesë kjo që e rrëzuar nga Gjykata.
Siç shkruhet në fashikullin hetimor, rezulton se: “Mëngjesin e datës 20.10.2021, rreth orës 07.40, bashkëshortët Thoma dhe Martha Kaçi kanë dalë nga banesa e tyre, një apartament i gjendur në katin e shtatë të një pallati, në lagjen nr.4, Sarandë.
Teksa bashkëshortët Kaçi kanë qënë duke pritur ashensorin për të zbritur, dy persona të panjohur prej tyre, ku njëri prej të cilëve mbante një armë zjarri të ngjashme me armën automatike të modelit 56, kalibrit 7.62 mm, e njohur në publik me emrin “Kallashnikov”, rrethanë për të cilën shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “kur po zbriste nga çanta ka nxjerrë një kallashnikov”, nëpërmjet kërcënimeve me këtë armë, rrethanë për të cilën shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “në fillim nuk e vura re mirë por kur pashe se po bënte mbushje kuptova se ishte armë kallashnikov dhe vura re se kishte dy karikatorë të lidhura me njëra tjetrën”, i kanë rikthyer në banesë.
Për mënyrën e rikthimit në banesë shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “personi që mbante armën në dorë më pyet “ti je Tomi Kaçi?”. Unë kam ardh me porosi për të të vrarë ty pasi je me hasmëri dhe unë nuk mund të iki pa kryer porosinë; ose do të më japësh lekë, në të kundërt do të të vras. Më tha “hape derën e shtëpisë dhe i thotë shokut të tij “merre zonjën”, dhe na detyruan të hymë në brendësi të banesës”.
Sapo kanë hyrë në apartamentin e tyre, bashkëshortët Thoma dhe Martha Kaçi janë lidhur me letër ngjitëse natriban të ulur në karrige, dhe në vijim kanë ushtruar kontroll në banesë, rrethanë për të cilën në deklarimet e tij shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “personi i shkurtër që nuk kishte kallash dhe ishte pa maskë, i paruar, ka shkuar në dhomë për 2-3 minuta, është kthyer përsëri dhe i thotë shokut të vetë “nuk gjeta gjë”.
Ndodhur në këto rrethana, personi i armatosur ka ushtruar vetë kontroll në banesë, çaste për të cilat në deklarimet e tij shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “personi me kallash filloi të acarohej dhe i thotë “do shkoj të kontrolloj unë” dhe shkoi kontrollo dhe mbasi është kthyer thotë “ne morëm këto që gjetëm dhe çelsat e mjeteve”. Unë i thashë “merrini, makinat janë në parkim”.
Kështu, “agresorët” e bashkëshortëve Kaçi, nën kërcënimin e armës së zjarrit, kanë mundur të vjedhin shuma në të holla, rreth 13’506,5 euro dhe 528’000 Lekë për të cilat në deklarimet e saj shtetasja Martha Kaçi shpjegon “personi i gjatë i cili ishte me doreza nxjerr portofolin nga xhepi i pantallonave të Tomit dhe i marrin 80 ’000 Lekë të vjetra që kishte në brendësi të portofolit dhe nga çanta e dorës i marrin 4’000 euro, të cilat ishin prerje 20 x 200 euro.
Këto euro i ka tërhequr firma “A…” sh.p.k. nga Banka “C…… Bank”, dhe pikërisht shtetësja A.P.
Personi që hapi çantën e Tomit hapi dhe çantën time dhe ka marrë ngaçanta ku kam pas në një qeskë plastike 1 ’000 euro dhe 2 ’700 ’000 lekë të vjetra, të cilat ishin të administrimit të pallatit pasi unë jam administaratore. Në një zarf kam pat për t’i dhënë tek shoqëria “A…” sh.p.k.për pagesat 4’506,50 euro. Në çantë kam patur dhe lekë personale në një qese portokalli për përdorim dhe depozitim të mëvonshëm në bankë, ishin rreth 4 000 euro dhe 2 500 000 Lekë të vjetra”.
Pasi kanë mundur të vjedhin shumat në të holla, “agresorët” e bashkëshortëve Kaçi, kanë dalë nga shtëpia, duke mbyllur derën e apartamentit nga jashtë, dhe në vijim kanë zbritur me këmbë nëpër shkallë. Duke përfituar nga fakti se shtetasjaMartha Kaçi nuk ish lidhur mirë, kjo e fundit ka mundur të lirohet dhe nëpërmjet telefonit celular ka njoftuar për ngjarjen e ndodhur Komisariatin e Policisë Sarandë, forcat e të cilit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Si u zbuluan autorët: Policia kontrolloi dhjetra kamera, punë intensive në qytet e fshat
Policia ka sekuestruar fillimisht kamerat e të pakten 5 bizneseve nga banesa e noterit e deri tek vendi i quajtur “Peshkimi”, ku autorët jan filmuar teksa largohen me këmbë duke mbajtur në krah një çantë ku kanë fshehur kallashnikovin. Ata humbasin në afersi të Tavernës “E…..” ku dyshohet se i merr një mjet.
Policia nuk ndalet me kaq. I rikthehet sërish kamerave të tre prej bizneseve që kqyri në fillim dhe zbulon se një ditë para se te ndodhte grabitja, aty ishte parkuar një automjet “Suzuki” i llojit “Grand Vitara”, pikërisht në 19.10.2021 ora 19.38.
Dyshimet policia i ngre edhe mbi një “Volkswagen Golf 5”, i identifikuar me kamera ditën e ngjarjes. Për të parë itenerarin e lëvizjes së këtyre dy mjeteve, policia ka sekuestruar kamerat e disa subjekteve në rrugët “Janaq Kumi”, “Gjergj Araniti” e deri tek rrethrrotullimi i rrugës që të çon në Vlorë ose Gjirokastër, ato te kryqëzimit në Metoq, rrethrrotullimit në Çukë, duke shkuar deri në aksin Çukë-Pllakë apo Pllakë-Shkallë, ku policia ka zbuluar filmime në të cilat dy mjetet “Ëolksvagen Golf 5” dhe “Suzuki Grand Vitara” ecin njëra pas tjetrës.
Në kamerat e sigurisë të vendosura në qytetin e Sarandës nga Bashkia Sarandë, në kryqëzimin e fshatit Metoq, është bërë e mundur të identifikohen nëpërmjet pamjeve filmike targa e automjetit të markës “Volkswagen – Golf 5”, me ngjyrë blu, e cila rezulton të jetë “AA 466 NG”, dhe se targa automjeti i markës “Suzuki – Grand Vitara”, me ngjyrë gri, e cila rezulton të jetë “AA 552 OY”.
Nga verifikimet në sistemin “E-Gjoba”, rezulton se automjeti me targë “AA 466 NG”, është në pronësi të bashkëshortes se Oltjon Kolonjes dhe se automjeti me targë “AA 552 OY”, është në pronësi të një shtetasi banues në Lushnje, i cili ia ka shitur pa akt noterial të dyshuarit Elis Avduli.
Në disa filmime të tjera, rezulton lidhje mes dy automjeteve, takime apo përshëndetje të të dyshuarve me njëri-tjetrin.
Nga regjistrimet video të këqyrura rezulton gjithashtu se këto automjete janë kapur edhe nga kamerat e sigurisë të subjektit “peshore”, i gjendur në fshatin Shkallë, ku aty del në skenë edhe një mjet i tretë i markës “Skoda”, me ngjyrë të bardhë, me targa “AA571 CN”.
Në kuadër të dokumentimit të faktit penal, bazuar në deklarimin e shtetasit Thoma Kaçi që shpjegon se njëri prej autorëve ishte me dialekt të Shqipërisë së Mesme, nga zonat si Lushnje, Fier, Kavajë apo Berat, ndërsa autori tjetër ishte me dialekt të Shqipërisë së Jugut, duke deklaruar gjithashtu se ishte në gjendje t’i njihte personat që e kishin grabitur nëse do t’i tregoheshin për njohje, më datë 04.11.2021, është kryer veprimi hetimor i paraqitjes për njohje, gjatë të cilit shtetasi Thoma Kaçi shpjegon “njoh personin që është me numrin 3 i cili është personi i cili ka shkuar më datë 20.10.2021 në banesën e tij. /sarandacity.al/