Si dje 5 vite më parë, Saranda do marrte lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta të një emri monumental të arsimit sarandiot, njëherësh qytetar gjurmëlënës, profesor Apostol Nika.
I dhënë me përkushtim pas punës dhe detyrës, pasionant si arsimdashës e arsimdhënës, në pozicion mësuesi apo drejtuesi, ai shkroi një histori personale në arsim për t’u patur si model referues.
Në 65 vite jetë që jetoi, 42 vite i pati të mbushura me tingullin e ziles së orës së mësimit.
I pati të pudrosura me pluhur shkumësi, duke mbushur dërrasën e zezë me formula fizike.
Gjithnjë në lëvizje të njëtrajtshme, gjithnjë në një ecje të përngjashme me ritmin e akrepave të orës, që nuk ndalet.
Një jetë me hapin e nxituar dhe me mendimin e thelluar në fatet njerëzore, në shkencë, në aplikacionet më të fundit të fizikës dhe të teknologjisë së informacionit në çdo fushë.
Me hap të nxituar e shpirt të shqetësuar për një tezë provimi në fizikë, për të mbërritur tek zgjidhja që i merrte ndonjëherë edhe orët e gjumit të natës.
Meraku i tij i paprerë dhe motiv për të punuar cilësisht, ishte që të kalonte kuptueshëm, njëherësh edhe me nivel shkencor, çdo mësim që vinte nga zbërthimi dhe zotërimi me kompetencë shkencore, i lëndës së fizikës. Të bëhej ajo nga lëndë-gogol, në një lëndë të dashur e të kuptueshme nga çdo kategori nxënësi, që ishte me dëshirën për të mësuar e përparuar në mësime.
E ngrirë në shifrën 65, jeta e Apostol Nikës, sërish bëhet e plotë. Atë e mbushin emocione provimesh, rezultate olimpiadash, qindra detaje që janë si gurë kilometrikë në rrugën 42-vjeçare në mësuesi.
E mbush marëdhënia sa e ngrohtë, po aq edhe korrekte me mijëra nxënësit që e thirrën mësues, me dhjetëra kolegë, disa prej të cilëve i pati edhe mësues kur ende ishte nxënës i gjimnazit “Hasan Tahsini”
U dallua qysh në bankat e shkollës për përkushtim e pasion. U rrit me etjen për shkencat ekzakte. U dallua në shkollën e mesme si nxënës, u shquajt si mësues i saj.
Për katër vite studioi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Pedagogët dhe bashkëstudentët panë tek ai njeriun studioz të vëmendshëm, që Sarandën e kishte lënë për pak vite, në emër të dashurisë për shkencën e fizikës.
Eksperienca në mësimdhënie e ndihmoi Apostolin për t’u bërë pasionant dhe aplikant i arritjeve më të mira të shkencës së fizikës. Laboratori i fizikës ishte një prej dashurive të Apostolit. Shkroi atje emrin e tij. Me shumë punë. Me shumë energji. Me shumë këmbëngulje.
Prandaj mbahet mend mes nxënësve, nga shkolla e mesme e Borshit, ku përgatiti me qindra nxënës të spikatur për tetë vite. E më pas në Sarandën e dashur, në shkollën e dashur “Hasan Tahsini”, ku breza të tërë i mësoi me dashurinë për dijen dhe shkencën. U mësoi fizikën. U edukoi virtyte. U dha frymëzim. U nxiti pasionin. I bëri të besojnë. I lartësoi me mund. I inkurajoi me fjalë. I përgatiti për jetën.
Eleni Barka është drejtorja e viteve të fundit të punës si mësues për Apostolin. Ajo ishte dhe është drejtore e gjimnazit me emër “Hasan Tahsini”. Një drejtore që Apostolit, edhe pas shumë vitesh që ai nuk ishte drejtor, e thërriste “drejtor”. Çfarë modeli marrëdhëniesh!
Jo kudo e gjejmë këtë nderim për shumë vite punë, shoqëruar me arritje, të cilat t’i çmon ai që vjen prapa.
Aësyeja pse ky nderim, është e thjeshtë.
Apostoli ishte një mik, një koleg, një mësimdhënës, që me përkushtim dhe këmbëngulje ngjiti në majat e arritjeve shkollën e mesme të Sarandës sonë. Ishte puna e drejtor Apostolit, në drejtimin e kësaj shkolle, që Shqipëria vendosi t’i japë “Prizmin e Artë” Sarandës, në Maturën e parë Shtetërore.
Kush nuk e di, se në faqet e këtij prizmi, është mendimi prej ëndërrimtari e shkencëtari, puna prej pasionanti dhe organizimi prej profesionisti, e Apostolit?! Sepse donte dhe synonte më të mirën. Respektonte të bukurën.
I donte nxënësit t’i shihte tek ngjiteshin në majat e shkencës, jo vetëm këtu, por deri në fakultetet më të mira të vendit tonë e në vende të tjera, ku ndiqte ecurinë dhe karrierën e tyre.
Te “Prizmi Artë” dhe në dhjetëra diploma e tituj, në olimpiada, tek mjaft diploma europiane apo amerikane, që kanë merituar ish-nxënës të tij, është energjia e pafund e mësues Apostolit, për t’u mësuar fizikë, por edhe për t’u mësuar si të mësojnë e të nxënë, edhe kur dija duket se kalon kapacitetet mbajtëse të trurit. Logjika është kapaciteti që nuk njeh kufi, do të përsëriste shpesh ai, në bisedë më ta.
Apostoli ishe një shembull si duhej punuar. Si të trajtosh nxënësit në auditore e prindët e tyre në qytet, si të përpiqesh për të përçuar shkencën e vështirë të fizikës e për t`ua lehtësuar kuptimin e dijeve nxënësve. Ai ishte shembulli si të silleshe me ta. Si të komunikosh me etikë e dashamirësi me kolegët e gjithë qytetarët me të cilët kishe lidhje të forta, jo vetëm si mësues, por si prind, si mik e vëlla. /sarandacity.al/
https://youtu.be/67K5KRmXhTc