Në takimet e fundjavës së kaluar të deputetes Denaj, tashmë e para e pushtetit në zonë, ato me struktura partiake e vendimmarrëse, në pasqyrimin mediatik të tyre theksohej përgjigja ndaj “kërkesave të komunitetit”. Pra, nevoja për t’i ditur apo njohur me to, që më pas pushteti t’u përgjigjej. Ngjan si naive kjo, apo demagogjike, pas 8 viteve në pushtet. Por dhe sikur mos kishin qenë këto 8 vite, nuk është e komplikuar që të dish se ç’kërkojnë njerëzit nga një pushtet.
Komplikimi vjen nga qasja më pas. Dihet që njerëzit kërkojnë punë, zhvillim, të ardhura…Por krahas këtyre kërkojnë drejtësi dhe ndershmëri. Pra, duan që nga një pushtet, më së pari të jepen këto sinjale, si provë që prej tyre do vijë dhe zhvillimi, edhe punësimi, edhe të ardhurat.
Deri më tani, qeverisja e PS-së ka dështuar në këto dy kolona morale. Me flamurin e një Reforme në Drejtësi, ajo s’ka mundur të përçojë shijen e një drejtësie tjetër krahas asaj juridike, atë që ndërtohet apo testohet në të zakonshmen mes njeriut dhe pushtetit. Padrejtësia në këtë rast përkthehet si korrupsion, nepotizëm, paaftësi. Prej këtyre është ai zhgënjimi i madh, të cilin patjetër që pushteti e lexon por që e shmang në trajtim. Sikur të pranohej kjo, edhe me dhimbje, si tregues i të kuptuarit se ku “çalon gomari” i 8 viteve qeverisjeje, do ishte vërtet një shenjë se gjërat mund të marrin për mirë në mandatin e tretë.
Sepse s’mund të ketë zhvillim nga njerëz që janë aty, në ushtrim pushteti, të niveleve të ndryshme, për të “bërë ndonjë lek”, të vënë aty qoftë dhe për një rrogë në këmbim të besnikërisë partiake, e që s’e justifikojnë atë qoftë dhe në një komunikim formal me njerëzit.
Ndaj dhe biznesi i ka të ngritura qimet përpjetë prej 8 vitesh, prej atyre që u vijnë te dera si taksidarë, me probleme dhe në (an)alfabetizëm.
Kur dominojnë këto, nuk ka më vend për gjenialitete. Po, Shqipëria, në të tërën, ka nevojë për gjenialitete për ta nxjerrë nga bataku ku ndodhet, me një mijë e një probleme.
Edhe lokalisht, Saranda apo Delvina, janë në stade ku njëra nga zhvillimi e tjetra nga prapambetja, kanë nevojë për vendimmarrës gjenialë, aftësie e moraliteti. Ja kjo është ajo që, me gjuhën e dikurshme, kërkon populli nga partia, pasi ajo çfarë deshi partia nga populli u morr: pushteti për të tretën herë. /sarandacity.al/