Saranda ka qenë ndër emrat e preferuar të prindërve kosovarë për fëmijët e tyre, sidomos në gati 50 vite ndarjeje për arsye ideologjike.
Dhe një Sarandë e tillë, fëmijë 13 vjeçe, do përjetonte tmerret serbe në luftë, duke marrë në trupin e saj të brishtë plot 16 plumba.
Sot ajo është në krye të ligjvënies kosovare. Bëhet fjalë për Saranda Bogujevcin.
Më poshtë është një shkrim dedikuar asaj, i cili pra, lidhet me emrin Sarandë, të cilën ajo mban.
A keni dëgjuar për Saranda Bogujevcin? Ajo është një vajzë mrekulli. Ajo është një luftëtare. Ajo është një person që mbijeton pavarësisht nga e keqja dhe kafshët e së keqes dhe luftës. Ajo është një mrekulli që tregon se jeta është e pashkatërrueshme. Ajo është një ferrë në sy e përbindëshave nacionalistë!
Ajo është një vajzë që tregon një histori të mahnitshme, të frikshme dhe të vërtetë me jetën e saj.
Saranda Bogujevici, nga një vajzë që u masakrua nga “Scorpions” 22 vjet më parë, nga një fëmijë që u qëllua 16 herë, sot është Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës. Saranda dëshmon me jetën e saj për të keqen që trupi i saj, shpirti dhe zemra vuajti dhe mbijetoi.
Por le të kujtojmë atë ditë të tmerrshme prej “Akrepave” serbe:
Pikërisht, 22 vjet më parë, më 28 mars 1999, një masakër e përmasave të papara ndodhi në rrugën “Rahman Morina” në Podujevë. Njësia serbe “Akrepat”, pikërisht ajo që mori pjesë aktive në gjenocidin e Srebrenicës, me qentë e saj të luftës, hyri në oborrin e familjes së Halim Gashit dhe vrau brutalisht 14 gra dhe fëmijë.
Saranda Bogujevci ishte 13 vjeçe. Sheh se si “Akrepat” i shtyjnë ata në fund të kopshtit. I sheh ata duke qeshur e duke goditur gra dhe fëmijë. Pastaj, me një tërbim dhe çmenduri, ata i shtyjnë të gjithë, 19 prej tyre në rrugë.
Saranda vendos mekanikisht duart në xhepat e saj, për të mbrojtur veten nga ata sy të çuditshëm të ligë që erdhën kush e di se nga ku për t’i vrarë. Asnjë person i arsyeshëm nuk e di pse. Dhe ata “Akrepat” erdhën, për të vrarë të dobëtit si hiena, pikërisht në Kosovë.
Saranda dëgjon ushtarë me uniformë duke u tallur me fëmijët. Ushtari pyets se kush është nëna e fëmijës? Nëna e Sarandës shfaqet e zbehtë. Vetëm pas disa sekondash gratë dhe fëmijët u sollën në fund të oborrit.
Saranda dëgjon tezen e saj Shefkat duke u folur monstrave në serbisht: “Janë thjesht fëmijë … si mundesh, a ke zemër?”
Dhe pastaj fillon ferri i të shtënave në masë. Ushtarët qëllojnë në mënyrë çmendur, fillimisht në gratë që bien në oborr dhe më pas kalojnë te fëmijët.
Saranda Bogujevci thotë për atë moment:
“Më qëlluan në këmbë. Dikush po mërmëriste. Ata qëlluan përsëri. Më pas u godita në krah dhe në shpinë. Ngrita kokën dhe pashë vëllain Genc duke më thënë: ‘shiko çfarë i bënë vëllait tonë’, të cilit i ishte hequr koka”.
Saranda mori dy plumba në këmbë, një në pjesën e prapme dhe 13 në krah. 16 plumba ferri te një fëmijë. Por ajo qe akoma me fat. Ajo mbijetoi. Dhe kështu gjysmë e gjallë, ajo ktheu kokën në anën tjetër. Dhe në anën tjetër qëndron vëllai i saj Fatos me një vrimë në bark. Ky kaos zgjat vetëm një minutë, mbase dy…
Atë mëngjes, 28 Mars 1999, shtatë fëmijë dhe shtatë gra u vranë në oborrin e Halim Gashit.
Ndërsa Saranda, nga vullneti i Zotit, mbeti një nga fëmijët e mbijetuar.
Dhe sot?
Sot, kjo grua e re, gjendet si Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës. E në vend të urrejtjes ajo mbron dialogun, mbron gjithëpërfshirjen e të gjithë anëtarëve të shoqërisë kosovare.
Në një intervistë me Reuters në 2017, Saranda do të thotë:
“Unë e dua jetën, por në të njëjtën kohë ndjej se kam një detyrim moral ndaj Kosovës për të bërë diçka bazuar në ato që kam përjetuar.” /sarandacity.al/