Një takim me menaxherë dhe ekspertë të RisiAlbania, pjesë e Programit Zviceran për Turizmin në Shqipëri, u organizua dje në Bashkinë e Finiqit.
Ky takim u zhvillua në kontekstin e koordinimit dhe rregullimit të përpjekjeve individuale të subjekteve private, qeverisjes vendore dhe kombinimeve rajonale për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonat rurale gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë sezonit të verës.
Kryetari i Bashkisë së Finiqit, Kristo Kiço bisedoi me menaxherin e sektorit të turizmit në RisiAlbania, Mirtion Mita dhe ekspertin zviceran Urs Wagenseil.
Kristo Kiço theksoi mundësitë e ofruara nga zona për zhvillimin e një aktiviteti të qëndrueshëm në sektorin e turizmit, sepse kjo zonë është e pasur me monumente kulture dhe natyre, me histori dhe traditë në fushën e kulinarisë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e programit konfirmuan këto mundësi të ofruara nga Bashkia e Finiqit, por u përqëndruan më shumë në mënyrën se si këto produkte të ofruara nga zona do të integrohen në strategjinë e përgjithshme të turizmit në rajonin bregdetar përmes një planifikimi të koordinuar për të tërhequr turistë nga e gjithë bota.
Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në përgatitjen e këtij programi por edhe në bashkëpunimin për promovimin dhe shfrytëzimin e produkteve dhe mundësive të pasura turistike të Bashkisë së Finiqit.
Në datën 17 maj, këtë të hënë një takim i zgjeruar do të organizohet në qytetin e Sarandës me kompani turistike dhe përfaqësues nga bashkitë e Sarandës, Delvinës, Finiqit dhe Konispolit për të zhvilluar idenë e bashkëpunimit në zonë, e cila do të përfshijë biznese edhe nga Finiqi. /sarandacity.al/