E filloi karrierën e tij si mësues në Markat. Mësues matematike dhe fizike. Dhe përfundoi në Finiq. Një rrugëtim i gjatë në arsim, më shumë në drejtim të shkollave, si një organizator dhe drejtues i zoti. Jo vetëm si aktivist dhe drejtues në Shoqatën e Arsimtarëve të Minortetit Grek të rrethit të Delvinës, por edhe këshilltar për ca mandate, si dhe kryetar fshati.
Por asnjëherë nuk është ndarë nga fshati i tij. Fshatrat e Minoritetit çdo ditë po zbrazen, Ndaj Gligori mban gjallë fshatin e tij të vogël, Velahovën, duke qenë shembull i rrallë në Bashkinë e Finiqit.
Kur e zgjodhen kryetar të fshatit, ai u ngrit dhe tha: “Nuk e bëj për të shtuar të ardhurat e mia por të ndihmoj fshatin tim. Më dhemb fshati dhe rroga si kryetar do të jenë për fshatin, për rrugën, varrezat, e çdo investim për të”.
Nuk ishte hera e parë që Grigor Naçi kontribuonte në detyra shoqërore në krye të fshatit, këshilltar sa herë. Për të nuk ka rëndësi të marrësh një post. Shpirti i tij thotë sa mund të ndihmojnë fshatin dhe vetë njerëzit. Nuk ka investim në fshat ku nuk e ka futur duart në xhep Grigor Naçi, duke kontribuuar dhe bërë shembull.
Bashkëfshatarët e tij thonë se është shpirti, zemra dhe dora e fshatit. Dhe e shikojnë në dritë të syrit.
Paçka se drejtor shkolle në Finiq, intelektual mjaft i përgatitur, nuk e ka për turp të thotë se shpirti im nuk ndahet nga fshati. Portretin e tij e zbukurojnë duart e tij të arta si kopshtar, si bletar, si usta, dhe mbi të gjitha humanizmi për njerëzit dhe dashuria për fshatin e tij.
“Më zihet fryma në qytet, nuk mund të rri pa u marr me një punë’’, thotë Gligori.
Për çdo hall e problem në fshat zgjidhja dhe ndihma është e Gligorit.
Makina e tij edhe në mesnatë nuk ka heshtur për raste qe kanë të bëjnë me shëndetin. S’ka ngelur bosh duke u ngjitur në fshat duke plotësuar pa asnjë përfitim kërkesat dhe nevojat që kanë fshatarët e tij.
Portreti i Gligorit është një portret i kompletuar, një intelektual vizionar, human dhe i dashuruar me fshatin e punën.
Ndërsa është promotor për të mbajtur gjallë fshatin, ai është shembull i kontributit jo vetëm për fshatin por edhe për zonën.
Duke u bërë thirrje edhe bashkëfashatarëve të tij që janë emigrantë që ta mbajnë gjallë fshatin e tyre, ai së fundi kontribuoi me 1000 euro për përmirësimin e rrugës. Se Gligori ka shpirt human. Se i do njerëzit dhe fshatin e tij.
Nga Panajot Boli – /sarandacity.al/