Ahere ishte i ri. Një djalë energjik, tepër i zgjuar nga një fshati i vogël. Mes maleve të Velahovës, shumë shpejt do të lakmonte lirinë dhe do të ndeshej me regjimin komunist. Nuk i shpëtoi kthetrave të atij regjimi, i cili e dënoi shumë të ri. Jo pak por 18 vjet.
Tabela në gjoksin e djaloshit të panënshtruar velavovit – “Agjitacion dhe propagandë, tentativë arratisje”.
Ky djalosh elegant, i zgjuar, atlet nga trupi dhe shumë i fuqishëm quhej Panajot Buzuka dhe mbeti me nofkën “Gjeneral Buzuka”.
Ishte “Mandela” i Minoritetit në burgjet shqiptare, në të famshmin Spaç. Peripecitë e jetës së tij janë të shumta. Ka kaluar një jetë si aventurë. Por e bukur sipas tij. Edhe vuajtjet edhe sakrificat kanë bukurinë e tyre. Ka disa vjet tani që prehet në varrezat e fshatit të tij të dashur, ku kaloi vitet e fundit të jetës. Më mua ishte bërë shok, dhe kalonin orë të tëra duke më treguar gjërat interesante dhe debatonim orë të tëra. Po sjell disa copëza.
“Isha djalosh ahere, as 19 vjeç. Do të krijohej Stacioni i Makinave dhe i Traktorëve (SMT), ku është fshati Çlirimi i sotëm. Më dërguan në kurs për traktorist në Durrës.
Isha tip anarkik e i lëvizshëm dhe ikja shpesh nga studimi dhe shijoja rrugët e qytetit, detin e paanë, bukuritë e Durrësit. Profesorët me morën zët që në fillim, më dënonin dhe më çonin me kast në mesime. Por nuk më kapnin dot,dhe filluan të më simpatizojnë. Bile krijuam me disa prej tyre dhe kofidenca. Mirrnin mendimin tim, më vunë përgjegjës në grup e favore të tjera. Në kurs kisha edhe Pal Miskën. Kur erdhën provimet, Pali mori 2(se ahere nota më e lartë ishte pesa). Më erdhi keq qe s’do të mirrte patentën dhe do të humbiste kursin. guximin të ndërhyj, paçka se isha kursant me notën 5. Pas këmbënguljes sime profesori e ndryshoi notën dhe e bëri kaluese.
“Nuk është mirë që bëra këtë veprim”, më tha profesori i penduar.
Ja ktheva unë: “Në fushë do të punojë, nuk rrezikon as veten, as ndonjë tjetër.. Marsha janë, do t’i mësojë..
Kur kryeja dënimin në burgun e Spaçit lexova në gazetë se Pali u bë Anëtar i Byrosë Politike. Buzëqesha dhe thashë: “E mësoi mirë ky traktorin!”.
Duke kujtuar këtë episod që e tregonte me humor Panajoti, sjell faktin se një natë ai mori traktorin e tij ku punonte dhe e ngjiti në fshatin e tij, atje ku s’ ngjitej as dhia, dhe u nis të kapërcejë kufirin. Panajoti njihej jo vetëm për intelektin e tij por për fuqinë dhe si një notar i shkëlqyer. Ai bëhej shok me ujërat e tërbuara të lumit Bistricë. Në ujërat e saj të akullta ai notonte edhe në dimër.
Më pas do vinin vitet e gjata të burgut, më shumë episode dhe aty….
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/