Të dyshuarit si autorë të plagosjes së rëndë të avokatit Marjel Mejdi kërkojnë lirinë, ngjarje e ndodhur një muaj më parë, me pretendimin se nuk janë ata autorë të ngjarjes.
Në Gjykatën e Sarandës është rregjistruar dje kërkesa e Aleks Rexhës, 58-vjeç nga Gjirokastra, i cili kërkon revokimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” dhënë ndaj tij në 15 korrik 2021 nga Gjykata e Sarandës.
Në atë seancë, Prokuroria kishte kërkuar masën “Arrest në burg 45 ditë” për Rexhën.
Kërkesa për revokimin e masës së sigurisë është rregjistruar në 2 gusht në Gjykatën e Sarandës dhe do të shqyrtohet nga gjyqtari Fatmir Ndreu.
Ndërkohë, mësohet se kërkesë për revokim masë sigurie ka bërë edhe një nga të dyshuarit e tjerë për të cilët është vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë.
Marjel Mejdi, avokat, u plagos rëndë me sende të forta në 5 korrik në mes të ditës në rrugën pranë Portit Detar të Sarandës.
Ai u mjekua në Spitalin e Sarandës, më pas në atë të Janinës.
Sipas versionit të tij, ai u godit nga persona me të cilët xhaxhai i tij është në një proces gjyqësor për çështje prone. Vetë ai është avokat i xhaxhait.
Por pala tjetër, vetë Aleks Rexha, mohon të ketë qenë ai apo ndonjë i afëm i tij autorë të rrahjes së Marjel Mejdit.
Për këtë, ai ka ofruar dëshmi filmike të ndodhjes në tjetër vend në çastin kur ndaj Mejdit është ushtruar dhunë nga të tjerë persona e të tjera arsye, pa asnjë lidhje mes tyre dhe çështjes për të cilën ishin në gjyq. /sarandacity.al/