Pas 7 vitesh, këto janë detajet e dy episodeve të grabitjes së “bandës së policëve” me protagonist Preng Gjonin.
Si grabitën e kasafortën me lek, euro e bizhuteri në Bredenesh…
Policia e Tiranës bëri me dije se finalizoi operacionin e koduar “Palestra” për kapjen e të shumëkërkuarit Preng Gjoni, 33-vjeç.
Ai është kapur në një palestër në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë ku jetonte i lirë, edhe pse Gjykata e Sarandës, në vitin 2018 e ka dënuar me 10 vjet burg për një nga ngjarjet e rënda të ndodhura në këtë qytet.
Kapja e Gjonit ndoshta do të hedhë dritë edhe në zbulimin e bashkëpunëtorëve të tij, pasi ai është dënuar për vjedhjen me armë të një banese në Berdenesh, në 30 maj 2014, kur autorët grabitën kasafortën e familjes duke u hequr si policë.
E njëjta banesë ishte tentuar të grabitej edhe një muaj më parë, pikërisht në 1 maj 2014, por policia arriti të gjejë prova që e lidhin Preng Gjonin me ngjarjen, vetëm për episodin e dytë.
Episodi 1
Në datën 01.05.2014 në orën 07.20, është njoftuar në Komisariatin e Policise Sarandë, se në fshatin Berdenesh, ka ndodhur një vjedhje me dhunë në banesen e shtetasit Kujtim Ruçi. Tre persona të paidentifikuar dhe të maskuar, kanë hyrë në banesë dhe kanë goditur me sende të forta shtetasin Kujtim Ruçi.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur gjurmë me njolla gjaku. Porta e derës ishte hapur me forcë dhe janë evidentuar shenja dhune.
Në dhomë ndodhej një levë me ngjyrë të kuqe dhe me dorezë me ngjyrë të verdhë dhe kishte njolla të kuqe. Afër levës u gjet dhe një rrotë natriban me ngjyrë gri.
Dritarja e dhomes kishte dëmtime pasi ishte tentuar të hapej. Fillimisht ka qenë shtetësja Dallëndyshe Ruçi, e cila ka parë hije njerëzish tek porta dhe e ka thirrur Kujtimin për të parë. Sapo ka hapur derën, Kujtimi është kapur prej krahu dhe është nxjerrë në korridor nga tre persona të maskuar dhe me dorashka, ku njëri prej tyre ka pasur pistoletë dhe ja ka drejtuar në kokë. Ndërkohë, përsoni i dytë e ka goditur disa herë në kokë dhe trup, dhe personi i tretë e ka goditur me një levë në kokë.
Personi që mbante pistoletën e ka pyetur se ku i mbante lekët dhe e ka goditur me qytë në parakrahun e majtë. Personi tjetër ka nxjerrë një thikë dhe i ka thënë se lekët i nxjerr thika dhe në kohën që i fusin diçka në gojë, Kujtimi arrin të kafshojë gishtat e dorës së njërit prej tyre, duke arritur t’i marrë levën. Njëri nga pesonat, kur ka parë që Kujtimi ka marrë levën, është shprehur së tani që mori levën nuk pritet më dhe kanë dalë nga shtëpia me vrap. Dallëndyshja ka parë që personat që janë larguar me vrap kanë hipur në një makinë me ngjyrë të zezë, e cila ishte parkuar rrugës që hyn në fshatin Berdenesh.
Episodi 2
Natën 30.05.2014 në orën 12.30, është njoftuar në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Sarandë, se në fshatin Berdenesh është vjedhur përsëri banesa e shtetasit Kujtim Ruçi. Eshtë shkuar në vendin e ngjarjes nga policia gjyqësore, pa e njoftuar prokurorin për këtë ngjarje të rëndë, dhe është mësuar se katër persona, kanë hyrë në banesë duke u prezantuar si punonjës policie dhe, pasi kanë hyrë brenda, kanë goditur me sende të forta shtetasit Kujtim e Dallëndyshe Ruçi, të cilët janë gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë dërguar për mjekim në spitalin e Sarandës.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale dy shirita natribani, në të cilat ka dhe njolla të kuqe si ato të gjakut. Në korridor është gjetur një shirit natribani dhe ky me njolla të kuqe si të gjakut, si dhe një paketë Marlboro me ngjyrë të bardhë.
Në dhomën me oxhak, ku janë gjetur dhe shtetasit e dhunuar, është gjetur dhe një shirit tjetër natriban. Shtetasi Kujtim Ruçi ka shpjeguar se kanë qenë katër persona që trokitën me forcë në portën e jashtëme, të cilët ishin të moshës 25-35 vjeç dhe janë prezantuar si punonjës policie që do të ushtronin kontroll për armë e gjëra të tjera. Sapo Kujtimi iu ka hapur derën, iu ka kërkuar autorizimin dhe të prisnin sa të vinte djali. Ata iu ëergjigjen se e pame djalin ku ishte dhe kanë hyrë brenda në shtëpi duke e qëlluar me grushte Kujtimin. Kanë shtyrë dhe rrëzuar në dysheme Dallëndyshen dhe pasi e kanë qëlluar e kane lidhur me natriban, ndërsa Kujtimin e kanë futur tek dhoma me oxhak duke e goditur dhe lidhur me natriban dhe duke i futur në gojë një gotë që të mos bërtiste. Kujtimi ka parë dy djem që kishin marrë kasafortën nga dhoma e nipit të tij, që ishte atë kohë 11 vjeç dhe, në kasafortë sipas tij, kanë pasur 2.280.000 leke, 600-700 euro dhe disa bizhuteri të vajzës që nuk jeton. Këtë kasafortë kanë tentuar ta fusin në bagazhin e një makine me ngjyre gri, që ishte parkuar në oborrin e shtëpisë, por pasi nuk e nxinte, e kanë futur në sediljen e pasme të makinës.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe fiksuar me cilësinë e provës materiale disa gjurmë papilare që janë dërguar për vlerësim në D.P.Sh.Tiranë. Me aktin e ekspertimit vlerësues Nr. 7466 datë 15.07.2014 është konkluduar se:
“Në gjurmekopjuesin objekt ekspertimi të shënuar me gërmën “A” ka një gjurmë gishti të vlefshme për identifikim. Gjurma nuk mund të përcaktohet se nga cili gisht është formuar dhe është e vlefshme për krahasim me rreth të kufizuar personash. Në gjurmë kopjuesin objekt ekspertimi të shënuar me germën “B”, nuk ka gjurmë papilare të vlefshme për identifikim. Në sipërfaqen e objekteve të ekspertimit fiksuar si provë materiale në vendin e ngjarjes, ka një gjurmë pëllëmbe të vlefshme për identifikim e cila u etiketua me germen “C”. Gjurma nuk mund të përcaktohet se nga cila pëllëmbë është formuar por është e vlefshme për krahasim me rreth të kufizuar personash.
Me aktin e ekspertimit vlerësues të provave Nr.7882 datë 23.07.2014 është konkluduar se: “Nga trajtimi kimiko fizik i materialeve objekt ekspertimi fiksuar në vendin e ngjarjes të datës 30.05.2014 në fshatin Berdenesh Sarandë, u përftuan 6(gjashtë) gjurmë papilare të emërtuara me germat “A,B,C,D,E,F” të vlefshme për identifikim. Gjurmët kanë vlerë për krahasim me rreth të kufizuar personash. Nga veprimet hetimore të kryera nga policia është administruar Akti ekspertimit daktiloskopik nr. 4267 datë 07.05.2015 me të cilin është konkluduar se: “Gjurma papilare e pasqyruar në fotografime me mbishkrimin “A” është formuar nga gishti i madh i dorës së majtë të shtetasit Preng Gjoni.
Mbështetur në këto dyshime nga prokurori në datën 10.05.2015 është lëshuar Urdhri i ndalimit të menjëhershëm, por që nuk kishte gjetur zbatim deri më sot nga Policia.
Me datë 25.04.2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka vendosur:
“Deklarimin fajtor të të pandehurit (Preng Gjoni), per kryerjen e veprës penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 10 vjet burgim.
Me datë 14.09.2017 Gjykata e Apelit Gjirokastër ka vendosur:
“Prishja e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe kthimin e akteve në atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
Megjithate ne 19.12.2018, pas rigjykimit, gjyqtari Alltun Cela në Sarandë ka vendosur sërish dënimin me 10 vjet burg për Preng Gjonin. /sarandacity.al/