Ish-mësuesi Xhorxhi Vasili, një arkivues i zellshëm i veprimtarive sportive në Sarandë, na ofron bujarisht disa të dhëna mbi sukseset më kulmore të Butrintit në futboll ndër vite.
Tashmë që ekipi i drejtuar nga trajneri Milto Gurma po korr fitore pas fitoreje në synimin për t’u ringjitur në kategorinë e parë, nga e cila ra para pak kohësh, duke patur si ndihmëtar në fushë dhe të birin si golashënues të rregullt, është momenti të kujtojmë se cilat janë arritjet më të mëdha të ekipit të qytetit ndër vite.
Saranda është endur historikisht mes kategorisë së dytë dhe të tretë, duke iu referuar rendit të kohëve më parë, kur Superliga e sotme quhej Kategoria e Parë dhe më pas sipas radhës më poshtë.
Tashmë, Saranda është në Kategorinë e Dytë, por pa Superligë është në të Tretën.
Sipas njeriut memorje të sportit sarandiot, i cili iu referohet shënimeve të tij plot statistika, rezultati më i mirë në historinë e Butrintit është regjistruar në sezonin ’90 – ’91, me trajner Niko Pandon dhe ndihmës Margarit Çakallin. Në atë sezon Saranda tentoi kategorinë e parë, por nuk ia doli në grup, pasi në vend të parë u rendit Ylli i Kuq i Pogradecit.
Atëherë luhej me tre grupe në sezon, me 37 skuadra gjithsej.
Saranda ishte në grupin C me 12 skuadra.
Pati 22 takime, ku regjistroi 11 fitore, tre barazime dhe 8 humbje. Golavarazhin e pati 37 me 22 dhe grumbulloi 25 pikë.
Arritjet e tjera janë:
Në sezonin 2004 – 2005 hyri në Kategorinë e Parë.
Por zbret sërish në të Dytën në sezoni 2010 – 2011.
Por a ka dalë ndonjëherë kampion Butrinti? Po. Kjo ka ndodhur në vitin 1961, duke qenë në Kategorinë e Tretë.
Ka dalë gjithashtu kampion në Kategorinë e Tretë në vitet ‘79 – ‘80
Por ka fituar gjithashtu dhe një kupë, e kjo është Kupa e “Sportit Popullor”, gazetës së asaj kohe, duke mundur Besëlidhjen e Lezhës në Elbasan.
Këto lloj eventesh, dedikuar organeve të kohës, organizoheshin në fund të gushtit, para nisjes së sezonit. /sarandacity.al/