Është dhënë shpjegimi i parë për hartën e re gjyqësore, ajo e cila do lërë Sarandën, krahas dhe 9 qyteteve të tjera, pa Gjykatë dhe Prokurori, me këto dy institucione që transferohen në Gjirokastër.
Ka qenë Kryeprokurori Olsian Çela ai që ka dhënë shpjegimet e para për atë që ka nisur të fus në stres në radhë të parë avokatët, me dhjetra të tillë që mbahen me punë rreth e rrotull Gjykatë-Prokurorisë së qytetit.
“Kryetarja e Lartë e Këshillit Gjyqësor më njohu me projektin dhe me çfarë ata i kanë propozuar realisht Ministrit të Drejtësisë.
Realisht në fakt ajo që përbënë thelbin e propozimeve përqaset me atë çfarë ka qenë ideja jonë, mënyra se si duhet konfiguruar kjo hartë e re gjyqësore. Mendojmë se në një plan afatmesëm do arrij të amortizojë vakancat e shumta që janë krijuar në sistem.
Mos harrojmë se vakancat mund të vazhdojnë të shtohen dhe do të thotë që masat që ne do të marrim do të jenë drastike”, theksoi Kryeprokurori Çela, i cili sigurisht i qaset vetëm në një kënd çështjes, në atë që ka të bëjë me sistemin, pa u futur në pasojat sociale.
“Patjetër kjo do të krijojë lehtësi në mënyrën se si do të funksionojnë qoftë prokuroritë, qoftë gjykata. Gjithashtu masa do të merren edhe përsa i përket funksionimit të shkollës së Magjistraturës.
Besoj se është e domosdoshme që viti i tretë i Shkollës së Magjistraturës të kthehet në një vit të stazhit profesional në modelin e dikurshëm pasi kjo do të lehtësojë në një afat më optimal barrën e rëndë që po përballet i gjithë sistemi i drejtësisë”, argumentoi i pari i akuzës shqiptare. /sarandacity.al/