Adem Daci ka lindur më 7 dhjetor 1945 në qytetin e Përmetit. Qysh fëmijë në klasën e dytë, i rritur në një mjedis familjar muzikantësh, ku të gjithë pjesëtarët e familjes së tij luanin në instrumente të ndryshëm, Ademin e tërhiqte me shumë kitara.
Mësuesi i tij në Përmet, Piro Nise, zbuloi i pari talentin e tij duke nxitur pasionin dhe vullnetin për t’u bërë më vonë një nga kitaristët dhe muzikantët më në zë të qytetit tonë. Ai arriti që në vitet 70-80 të renditej ndër kitaristët më të mirë të vendit.
Prej vitit 1960 deri në vitin 1964, para se të kryente shërbimin ushtarak, A. Daci aktivizohej rregullisht në të gjitha koncertet muzikore që organizonte Shtëpia e Kulturës e Përmetit, deri sa një ditë të bukur pranvere të vitit 1968 vjen në qytetin e Sarandës, në përbërje të një ansambli muzikor të Shtëpisë së Kulturës së Përmetit, për të marrë pjesë në një festival që organizohej aty.
Pjesët e ekzekutuara prej tij në kitarë te ky festival lanë mbresa të thella te spektatori i Sarandës, duke tërhequr vëmendjen edhe të drejtuesve të kulturës në qytetet, të cilët i propozuan të bëhej pjesëtar i trupës profesioniste të estradës së Sarandës, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.
Kështu në fillim të vitit 1969 filloi punë si kitarist në këtë trupë, deri sa doli në pension në vitin 2010. Kontributi i tij artistik 40 vjeçar është i gjerë dhe i larmishëm, jo vetëm si një kitarist i talentuar, por edhe si një muzikant e krijues i talentuar, pjesëmarrës në shumë aktivitete muzikore, festivale fëmijësh dhe të rriturish, të organizuara gjatë viteve në qytetin tonë si dhe në qytete të tjerë të vendit.
Nëpërmjet kitarës A. Daci u bë një emër i dashur për artdashësit e panumërt duke u përcjellë atyre ndjeshmëri të bukura, elegancë dhe ëmbëlsi tingujsh, duke fituar emër në rang kombëtar përmes turneve të organizuara nga trupa jonë e estradës. Ai ishte gjithkund i pëlqyer dhe i duartrokitur për virtuozitetin e tij në kitarë dhe shpirtin krijues e plot pasion.
Mbi telat e kitarës artisti nuk ka derdhur thjesht nota, por një emocion të veçantë të ngjizur me meloditë e kabave përmetare, trazuar me valët e detit Jon dhe ison labe. Brezi i të rinjve gjimnazist të viteve ‘70 në Sarandë, e kujtojnë Ademin si një kitarist plot melodiozitet, që i entuziazmonte me pjesëmarrjen e tij në mbrëmjet rinore të organizuara në ato vite si i vetmi argëtim i kohës.
Adem Daci ka qenë pjesëmarrës në mbi 200 premiera të estradës profesioniste të Sarandës, dhe krijues i disa këngëve të kënduara nga këngëtarët Lefter Agora, Gani Doko e Telemak Papapano, Pëllumb Zotaj e Theofan Kumbuli.
Kontributi i tij shtrihet dhe në shumë aktivitete muzikore të lëvizjes amatore të qytetit si instrumentist, krijues e drejtues muzike. Ka qenë pjesëtar në disa festivale folklorike të vendit, si llautist i talentuar i muzikës popullore, i nderuar edhe me çmime. Ka marrë pjesë gjithashtu në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore si dhe në disa ansamble të tjera të vendit, i përfshirë në turnetë që organizoheshin para viteve ‘90 jashtë shtetit.
Adem Daci ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe sot një inspirues dhe mësues i dhjetëra kitaristëve të rinj, që kanë dalë nëpër vite në qytetin tonë. Vazhdon të jetë i pranishëm në shumë gëzime familjare, me dasmat që organizohen duke i rënë kitarës së bashku me orkestrinën e tij dhe duke dhënë gëzim e kënaqësi.
Trupa e estradës së Sarandës e ka patur vazhdimisht si pikë kyçe të suksesit në programet dhe turnetë jashtë rrethit. Figura e tij artistike është e shumëfishtë, jo thjesht si një instrumentist dhe muzikant i talentuar, por një individualitet me emër, nga vlerat e rralla të trupës, pa të cilin suksesi i saj nuk mund të kuptohej.
Si njeri dhe artist i komunikueshëm dhe i dashur me të gjithë kolegët, ka ndihmuar shumë me shembullin e tij në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin krijues brenda kolektivit. Saranda e njohu bukurinë e tingujve të kitarës në vitet 70 falë mjeshtërisë së Adem Dacit, ndërsa ai nëpërmjet kitarës së tij e bëri të njohur Sarandën në gjithë vendin…/sarandacity.al/
Marrë nga libri i Vangjel Agorës “Aroma e një kohe që po ikën”