Me një tundje dhëmbësh të të “madhit”, gazetari i mirënjohur i Bashkimit, Timoleo Mërtiri, u syrgjynos në fillim në Kërrabë, Lushnjë dhe se fundi në Sarandë.
Vajza e tij Tefta kish mbaruar për gjuhë – letërsi. Këtu, u emërua në një fshat minoritar, Krane. Mësuesja e letërsisë nga Tirana ra në dashuri me një djalë simpatik, mësues të biologjisë. Ishte Vangjel Papakristo nga Ymerafendi.
Ishte një dashuri më e fortë se ajo e Romeos me Zhuljetën.
Atë e përshkroi kaq bukur në romanin e tij autobiografik do ta quaja, “Engjëll në tokën e demonëve’’. Këtu filloi drama e madhe e kësaj figure të shquar të Minoritetit, Vangjel Papakristo.
Ishte një mësues shembullor ku së bashku me rrethin e natyralistëve të shkollës krijoi laboratorin e biologjisë, një nga të parat në rrethin e Sarandës.
Këtë dashuri u vunë djaj dhe demonë për ta prishur. Mësuesja nga Tirana ishte me biografi të mirë, kurse Vangjeli me biografi jo të mirë, djali i ish-kulakut.
Babai i tij, mësues, pasi e shpallën kulak, u gjet në mënyrë misterioze i mbytur në lumin e Bistricës. Ishte goditja e parë që i ra atij në mënyrë të tmerrshme. Por e përballoi me shumë gjakftohtësi dhe një kalvar vuajtjesh do kish para.
Tani ishte në betejën më të rrezikshme për ta ndarë nga e dashura duke ngritur barrierën e paragjykimeve, të etnisë, të biografisë e të tjera. Ishte mësuesja që akoma edhe sot mbahet mend nga nxënësit e saj dhe banorët e fshatrave Krane dhe Ymerafendi për fisnikërinë, kulturën, thjeshtësinë dhe talentin si mesuese.
Mësuesja nga Tirana u ngrit mbi paragjykimet, mbrojti dashurinë e saj si fisnike dhe luftëtare e vërtetë.
Mësuesja e letërsisë u vendos në fshatin e Vangjelit dhe atje ndërtuan folenë e tyre të lumturisë.
Mësuesja e letërsisë mësoi gjuhën, ngarkoi edhe bucelën me ujë në çezmën e fshatit, u bë mike me të rejat e fshatit dhe u mësoi shumë gjëra.
Me Vangjelin ishin çifti më i lumtur dhe të gjithë ia kishin zili. Demonët dhe djajtë u mundën përpara kësaj dashurie të madhe të këtyre të rinjve. Po djajtë ngelen djaj.
Kur lufta e klasave u ashpërsua, ata gërmuan në biografinë e Vangjelit, megjithëse ishte edhe një gazetar i mirë dhe i dekoruar, i gjetën atë cen dhe e çuan në prodhim, në fermën e Kranesë.
Por as kjo nuk e vuri poshtë Vangjelin. Mbështetja e fuqishme e tij ishte Tefta. Ata rritnin frytet e para të dashurisë, fëmijët e tyre. Provokimi dhe fyerja me e madhe për Vangjelin ishte kur Sekretari i Propagandës e thirri në zyrë dhe e pyeti se a do që të kthehej në punë si arsimtar. Vangjeli u përgjigj se po, për të marrë përgjigjen më mizore të mundshme.
“Ahere të shkosh të pshuresh mbi varrin e babait dhe ne do të emërojmë menjëherë”.
S’kishte fyerje me të madhe për Vangjelin. Por goditja me e madhe erdhi kur të shoqen e zuri një sëmundje e pashërueshme.
I qëndroi mbi kokë deri në rrahjen e fundit të zemrës dhe ajo la frymën e në krahët e Vangjelit, në atë dashuri dhe lumturinë të madhe që kishin kaluar së bashku.
Ahere Vangjeli, përballë kësaj humbje kaq tragjike për dashurinë e tij, vendosi të tregohej burrë, siç ia la amanet Tefta. U betua se do t’ia plotësonte amanetin. Iu fut penës, iu rifut punës së arsimtarit, përgatiti librat e parë. Iu fut të punojë si gazetar dhe shkroi në të gjitha mediat e Minoritetit dhe ato shqiptare. Gjithmonë fisnik dhe një intelektual e shkrimtar i talentuar.
Mori inisiativë dhe shkoi mësues vullnetar në Kukës.
Kur ndryshoi sistemi, Vangjeli ishte një nga themeluesit e OMONIA-s. Kishte poste të rëndësishme në këtë organizatë dhe punoi me përkushtim. Ishte nga të pestët të OMONIA-se që u burgos nga Berisha në ’96-ën.
U tregua me të vërtetë dinjitoz dhe i hodhi poshtë të gjitha akuzat. Pastaj Vangjeli iu kushtua gazetarisë si një nga gazetarët më cilësorë dhe sasiorë të Minoritetit Etnik Grek.
Shkroi vëllime me tregime dhe romane. Enciklopedia për fshatrat e Bashkisë Finiq është një punë mjaft voluminoze dhe tepër e vlefshme për këtë komunitet. Tani është duke mbaruar një libër për folklorin, traditat, fjalët e urta, anekdotat nga komuniteti i Minoritetit.
Është një libër voluminoz që pritet me shumë interes për lexuesin minoritar, por edhe për studiuesit. Ka redaktuar me dhjetra libra të autoreve minoritarë. I është dhënë dhe titulli “Qytetar nderi i Komunës së Mesopotamit.
Ky është Vangjeli që dashuroi mësuesja e letërsisë nga kryeqyteti. /sarandacity.al/