Nga Athina ku ndodhet për një vizitë zyrtare, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha se diskutoi me homologun grek Haris Theoharis për rritjen e shkëmbimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit.
“Ishim në një konferencë së përbashkët përsa i përket zonës së bregdetit dhe zhvillimit të turizmit blu që për Shqipërinë është një biznes i ri dhe prandaj eksperienca greke është e jashtëzakonshme, por po ashtu dhe krijimi i bashkëpunimit në këto aspekt është mëse i domosdoshëm.
Diskutuam përsëri përsa i përket shkëmbimeve të situatës në trajtimin e pandemisë në dy vendet tona dhe shifrat e Shqipërisë janë optimiste sa i përket përfundimit të pandemisë. Këto do të duhet të përkthehen dhe në vendimmarrje të BE, vendeve anëtare të tij dhe besoj që kolegu do të jetë avokat i mirë të reduktimit të numrave në Shqipëri duke filluar nga shteti helen për të filluar lëvizjen në kufi sa i përket turizmit”, tha Klosi, cituar nga TCH.
Edhe homologu grek, sipas TCH, shprehu vullnetin për të bërë më të mirën në këtë drejtim. Theoharis tha se fillimisht rritja e kuotave dhe në vazhdim hapja e kufijve me vendin tonë, do të sjellë rritje të shkëmbimeve turistike mes vendeve tona. Aktualisht pritet lirimi i masave me Shqipërinë dhe rritjen e kuotave të kalimit në pikat kufitare.
Sipas burimeve greke, pritet që të hapet pika kufitare e Qaf Botës me orar 07:00-19:00 dhe me kufizim deri në 250 persona në ditë, rritja e kuotave të Kakavijës në 1000 persona në ditë nga 400 që është aktualisht, dhe lejimi i kalimit edhe për kategori të tjera veç punonjësve sezonalë dhe rritja e numrit nga 400 në 700 në pikën kufitare të Kapshticës. Vendimet përfundimtare do jepen gjatë orëve në vazhdim, raporton TCH. /sarandacity.al/