Siç ndodh gjithnjë, palët e kanë lexuar ndryshe raportin e përfundimtar të ODIHR-it mbi zgjedhjet e 25 prillit.
Për Bashën, raporti tregon se është tjetërsuar vullneti i shqiptarëve.
“Këto janë disa nga konkluzionet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi 25 prillin:
– Blerja masive e votave.
– Presioni ndaj votuesve.
– Shkrirja në një e partisë në pushtet me shtetin.
– Keqpërdorimi i aseteve publike në avantazh të partisë në pushtet.
– Abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike.
– Rritje e punësimit në administratën publike me qëllime elektorale.
– Presion mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet.
– Përdorimi i fondeve të rindërtimit për të orientuar votën.
– Legalizime në këmbim të votës.
– Vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve nga partia në pushtet dhe ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve duke ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve.
– Përdorimi i grupeve kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve.
– Ndryshimet kushtetuese të njëanshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
E përmbledhur me dy fjalë: MASAKËR ZGJEDHORE!”, pretendon Basha.
Raporti konfirmon atë që të gjithë shqiptarët e dinë tashmë: 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
Ndërsa nga kahja e pushtetit është rënë më shkurt.
“Shqipëria merr raportin më të mirë për zgjedhjet në këto 30 vite dhe kjo është një meritë e madhe, mbi të gjithë, e qytetarëve shqiptarë, të cilët ushtruan në shumicë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Përgëzime KQZ për vlerësimin e marrë në këtë Raport”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla. /sarandacity.al/