Kur i thanë Jorgos se do të dalesh në pension, nuk i erdhi mirë. Do të linte nxënësit e tij të dashur, klasën kolegët.
Javët e para iu duken të rënda si mali, të rëndomta, pa tingëllimin e zilës së shkollës, pa cicërimat e fëmijëve, pa çantën e tij me ditarin. Tani duhej të shkonte me të shumtën e kohës në kopsht, të rrinte në kafene, të luante me tespijet…Kjo mënyrë e re jetese nuk i pëlqeu Jorgos. Filloi të mblidhte këngë popullore dhe t’i shkruante bukur si nxënësi i klasës së parë në një fletore të trashë, apo të shkruajë ndonjë kujtim apo artikull gazete me temë nga historia e arsimit. Prapë ishte i pakënaqur. Kjo “tërheqje” dhe ky “izolim” nuk i shkonte për shtat tipit e tij energjik dhe të kudondodhur.
Tërheqja nga misioni i tij qe e adhuronte aq shumë, e bëri fjalëpak dhe i dukej vetja si ushtar pa armë.
“Puna të mban gjallë”, thoshte, “ajo e harron pensionin dhe pleqërinë”.
Ideja për të krijuar një shoqatë, Shoqatën e Arsimtarëve Pensionistë të Minoritetit Etnik Grek, e gjallëroi dhe e entuziazmoi atë dhe shokët e tij. Kolegët, duke parë përkushtimin dhe aftësitë organizative, e zgjodhën kryetar.
Tani, Jorgoja dhe kolegët e tij u futën përsëri në “betejë’.
Veprimtaritë ishin të larmishme dhe të shpeshta: ndarjen e detyrave për mbledhjen e folklorit, historikët e fshatrave, jetëshkrimi i çdo kolegu, tradita dhe veçoritë e traditave sipas zonave, toponimia, datat përkujtimore për arsimin e këtij komuniteti dhe vlerësimin e personaliteteve të arsimit minoritar duke filluar nga Lefter Talo, Teli Arbaçi e më radhë. Në krye, i palodhuri Jorgo Zafirati që me “djemtë” e tij nuk lanë fshat pa shkelur, ngritje pllakatash përkujtimore për ngjarje dhe figura.
Nuk la pa ‘’bezdisur’’ as zyrat e pushtëtarëve vendorë, deputetëve të zonës, krerëve të OMONIA-s, shoqatave simotra greke, e madje deri te kryeministrat grekë. Librat e Harallamb Kiços për arsimin, traditat, historikun e disa fshatrave, studimet etnografike e tjera, do të pasoheshin nga ato të Gligor Anagnostit, Kristo Vidhurit, Spiro Pekos, Gligor Kacalidhes, Vangjel Papakristos, Jorgo Zarballas e të tjerë, të cilat krijuan dhe vazhdojnë ta pasurojnë fondin e vyer të kulturës, arsimit dhe etnografisë së Minoritetit Etnik Grek.
Jorgoja i vuri në punë “djemtë” e tij t’i futen një pune të vështirë: të ngrenë Muzeun Etnografik dhe të Arsimit të Minoritetit Grek në Dermish.
Dhe ia arritën. Mblodhën dhjetra suvenire, vegla të vjetra të trashegimisë popullore të MEG, veshje, objekte karakteristike, dokumenta, materiale fotografike dhe studime për arsimin e Minoritetit Etnik Grek. Atë që nuk e bënë pushtëtarët, deputetët, organizata të tjera të këtij komuniteti, e bëri Jorgoja me “djemtë” e tij, me shumë mund e sakrifica.
Botoi dhe 5 libra për arsimin, personalitete dhe figura të spikatura të Minoritetit.
Jorgoja bëri mënjanë fjalën “pension” dhe “pleqëri” dhe e vazhdon misionin e tij fisnik të mësuesit, pasi ky mission sipas tij, nuk ka as stacion e as afate.
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/