Statusi i fundit i deputetes së Sarandës Ina Zhupa, njëherësh zëdhënëse e PD-së, është i ai zakonshmi që i përket në fakt profilit berishist që ka partia e saj, nga i cili vështirë të ndahet, së paku jo ata që nisën karrierën nën praninë e frymën e tij.
Ky profil është akuza. PD është parti akuzatore por jo ideatore. Dhe ky është handikapi kryesor i kësaj force që ndoshta, ata që e drejtojnë, nuk kanë mundur ta kuptojnë se ku u “çalon gomari” në mbi 20 vjet që munden dot të jenë shumicë elektorale.
“Jemi në një nga tregjet e kryeqytetit ku shiten fruta-perime dhe mallra të konsumit ditor, siç është shporta ushqimore për çdo familje shqipëtare.
Patëm bisedë me tregtarë, të cilët pranuan të flisnin para kamerave, por dhe me të tjerë të cilët nuk pranuan, nga frika se të nesërmen do ti vinin policia tatimore, krimi ekonomik, për ti dënuar për krimin që po bënin duke folur të vërtetën. Në fakt realiteti e tregon shumë qartë me pamjet. Është një treg i boshatisur.
Është një treg në të cilin ka rënë puna, sepse janë rritur çmimet dhe sepse qytetarët kanë paga të njëjta siç kanë pasur në këto 8 vitet e fundit. Shqipëria është vendi me pagën minimale më të ulët nga të gjitha vendet kandidate dhe vendet anëtare të BE-së. Paga minimale është 245 euro, rreth 300 mijë lekë të vjetra. Dhe jo të gjithë kanë mundësi që të marrin pagën minimale, sepse shumica e atyre që paguhen në të zezë, paguhen nën këtë pagën minimale.
Sipas vetë INSTAT, që është shtetërore, ka një rritje në 2021 të çmimeve për qytetarët, deri në xhepat e tyre kushton me 50 mijë lekë të vjetra, për çdo muaj për një familje mesatare me katër persona. Ne sot në fillim të vitit 2022, vunë re se çmimet janë rritur përsëri. Kjo vjen edhe si rezultat i rritjes së çmimit të naftës, të karburanteve, e rritjes së çmimit të gazit. Qeveria nuk është duke bërë asgjë për këtë. Përkundrazi, i ka mbushur me taksa karburanti dhe paguajnë 7 taksa brenda çmimit të karburantit. Kemi karburantin më të shtrenjtë në Europë, ndërkohë që kemi ekonominë më të varfër.
Një qeveri e korruptuar, e cila nuk mendon fare për qytetarët, një qeveri që nuk bën politika që i vijnë në ndihmë qytetarëve shqiptarë”, shkruan znj. Zhupa, një stil komunikativ me kundërshatërt dhe publikun i dalë boje, pasi është 100 përqind akuzë e aspak ofertë. E nëse do qe ofertë, ajo do qe vetëm një fjali, e përkthyer: ik ti që të vijmë ne në pushtet!.
Sepse dhe kauza e PD-së, nëse mund të quhet kauza, vetëm në këtë fjali të pathënë por të nënkuptuar ngërthehet: ik ti, të vijmë ne(në pushtet)! Po pse duhet të vish ti, për ç’aftësi të veçanta, për ç’merita, për ç’moral politik ndryshe, për ç’tregues ndryshe? Jo, këtu ngec pllaka!
Për më tepër, në finale, te dita e votës, kjo frymë merr dhe përgjigje gjithnjë negative.
Znj. Zhupa vjen nga sfera akademike, ndaj duhet ta dijë nga psikologjia politike se oferta ka më impakt se akuza. Dhe ofertë do të thotë të jesh plot ide, me një vizion joshës për elektoratin, te i cili të shpërfaqësh një kulturë të thellë botëkuptimesh politike, të flasësh me referenca, e mbi të gjitha të kesh avantazhe të thella ndaj kundërshtarit në shumë plane, të vërtetuara më së pari në aspektin etik e ligjërimor, e më pas në përvojat e sukseshme jetësore apo qeverisëse nëse ke patur më parë.
Znj. Zhupa dhe i gjithë lidershipi në PD, nëse kanë vendosur të reformohen në epokën post-Berisha, duhet më së pari te reformojnë gjuhën e tyre, duhet të ikin nga stili berishist që vetëm akuzon e akuzon, duhet ta zhbëjnë këtë profil të mbrapshtë të forcës së tyre, e të bëhen ofertues në atë shkallë se të jenë bindës te elektorati. Njerëzit i marrin vetë mesazhet e një keqqeverisjeje, pa qenë nevoja t’ua thuash ti, ata presin ofertë dhe arsyetime bindëse se pse ti je më i denjë për pushtet. E bën dot këtë? /sarandacity.al/
P.S. Sa për atë që thotë znj. Zhupa lidhur me çmimet apo varfërinë, të tillë realitete pasqyroheshin me shumicë dhe kur qeveriste PD, nga media apo politika rivale. Në Shqipërinë postkomuniste, kanë qenë e janë ndër gjërat më të zakonshme.
Sa për naftën, çmimin e saj, mos përtojë të sjellë një referencë nga koha kur qeveriste PD, sa ishte dhe pse ishte aq, gjë që do e kish nderuar në aftësi zbërthyese apo shpjeguese ekonomike, më shumë se ajo që denoncon.