I pëlqen kur rrufit kafen që të humbasë shikimin në kaltërsinë e detit Jon. Dhe kafen e pi aty, në verandën e Rivierës, mbi Galerinë “e tij” të Arteve, dashurinë e tij, të cilën e ideoi, e ngriti dhe e drejton si askush.
E shikoj me vështrimin tretur kaltërsisë dhe nuk dua t’ia prish meditimin.
“Tani”, them, “Lefter Çeko skicon ndonjë tablo!”
Nuk bëj gabimin si dikur t’i bëj pyetjen jo dhe aq naive se “Cila është ngjyra jote më e dashur?”
Tani që është i përhumbur në ngjyrën e kaltër, ku tutje afër Korfuzit kalon një anije e bardhë, ai mund të më thoshte: “Unë i lumturohem ngjyrës së shpirtit”.
Por para ca kohësh ai më shikoi në sy dhe më tha: “Ngjyra varet nga mesazhi që përcjell. Ne që jetojmë këtu kemi kaluar periudha gri, periudha të gjelbërta, periudha blu e të tjera, disa të vërteta, disa të gënjeshtra, ndryshe të ndriçuar në mëngjes, ndryshe në drekë, ndryshe në mbrëmje, si i përjetojmë, por në veprën e artit sjellin një ide, një mendim ku shpirti regjistron çastet që krijojnë në këto tema të kohës”.
Nuk dua t’i shkëpusë menditimin. Ndofta duke parë anjen që i drejtohet Igumenicës, sjell ndërmend emocione të fuqishme që ndjeu kur hapi jashtë vendit të tij ekspozitën në këtë qytet. Me zemrën që i dridhej shikonte si reagonin vizitorët që nuk ishin të paktë, mes tyre edhe kolegë të tij.
Ishin si ato çaste kur i thanë të mbrojë temën për mbrojtjen e diplomës. Mbante mend kur u kthye nga Delvina për në fshatin e tij Kostar, ku në të hyrë të fshatit përshëndeti gratë e fshatit që mblidhnin ullinj. Në krye të fshatit pllaja kishte marrë një ngjyrë të florinjtë, magjepse. Ishte një peisazh pak i çuditshëm atë ditë vjeshte. Vetvetiu i shkrepi në mendje të bënte një tablo të tillë. Po, po me këtë të mbronte diplomën. Tani duhet ta hidhte në tablo ashtu siç e ndjeu, me magjinë që e zbuloi papritur. Dhe pa ulur çantën nga shpina rrembeu penelin. Punoi ethshëm. Mundohej të mos e humbiste atë “shkrepje” fantastike qe i kish kapur syri dhe shpirti. Atë e ruante akoma. Një tablo e shkëlqyer: “Gratë e fshatit tim mbledhin ullinj”. Dhe ka nostalgji për këtë kompozim të frymëzuar nga vendlindja e tij e shtrenjtë. Pastaj rrugëtimin e ekspozitave të tij personale dhe me kolegë në Korfuz, Athinë, SHBA, Gjermani,Francë e duke u kthyer prapë në Tiranë e në Sarandë, këtu ku filluan ethet e para të punës së tij pranë ketij deti të dashur, që shpesh i rri pranë dhe “bashkëbisedojnë”.
Kur e pyet Lefter Çekon si arriti ai të bëhet një piktor kaq i talentuar, kur në shtëpinë e tij të varfër në Kostar, kur ai shkonte në shkollë, s’mund të gjeje një laps, pa le kushtet dhe ndihmesën që të kultivonte atë dëshirë për të pikturuar, ai buzeqesh dhe thotë: “Po, vërtet e çuditshme. Edhe unë e pyes veten ndonjë herë….Shkollën tetëvjeçare e bëra në Delvinë. Me një çantë basëm që na lagej shpesh herë bënim rrugën Kostar –Delvinë mëngjes e drekë, me diell e me shi. Mua më pëlqente të vizatoja. Doja të vizatoja gjithçka. Mësuesi im i mirë Aristidh Loli më zbuloi sekretin, pasionin që kisha për të vizatuar. Më ndihmoi shumë. Në klasën e shtatë dhe të tetë hapa në shkollë një ekspozitë personale. Mësuesit, shokët, i shikonin me interes dhe më shikonin pak me admirim. Kishte nga ata që më thoshnin: ‘Të kam shok, më bëj pak portretin tim, ti tani je piktor’. Këtu ndjeva papritur se isha futur në një rrugë qe donte punë, pasion, dashuri, përgjegjësi. Ahere në shtëpinë time të varfër nuk kisha shumë mundësi dhe kushte. Pikturoja me një laps, me qymyr, dhe me shkumës. Konkurova dhe fitova për në shkollën e arteve në Tiranë. Kështu nisa udhën time që e kisha ëndërruar kaq shumë”.
Ne duam të dimë për tematikën e veprave të ardhshme të këtij piktori të talentuar duke i ngarë mendimet.
“Vendlindja është baza e veprave të mia dhe do të ngelet po ajo. Edhe në të ardhmen, ekspozitat e mia do të kenë të njëjtën tematikë, brenda tyre do të jetë lëvizja e njerëzve të lirë, dmth, kur them kurbet, ajo ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë në kohë të ndryshme, në periudha të ndryshme, në kushte të ndryshme, por vepra e artit do të shprehet me atë mendim që do të jetë krijues dhe do të vijë te publiku, le te themi, pa titull, ku secili të vendos titullin duke bërë vlerësimin e duke gjetur veten e tij, ndjenjën e tij e do të thotë: ‘I mrekullueshëm ky peizazh, është i vendlindjes sime, është ngjyra e lindjes në fshatin tim të dashur’.”
…Lefter Çeko rrufit kafen me vështrimin tretur në det. Ashtu si ditët e para qe nisi punën , këtu në këtë qytet me detin pranë.
Kujton kur dilte në dritaren e zyrës se tij në Kinoteatër dhe shikonte nga deti, sikur aty ishte frymëzimi i tij. Tani u ngritën ca dallgë. E marrin në krahë dhe e çojnë në fshatin e tij të dashur Kostar me Shen-Mërinë në krah. Aty ku lindi dashuria për pikturën, aty ku buron frymëzimi i tij.
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/