Ditë më parë, Çlirim Koburin s’e mbajtën nervat dhe goditi me shkelm një nga dyert e Hipotekës së Sarandës, pasi ndjeu nëpërkëmbjen e radhës në një odise legalizimi. Për një dosje të dorëzuar që në 2017-ën, ai ende nuk ka asnjë përgjigje, qoftë dhe një “Jo” të argumentuar shtetërore, lidhur me një lokal mes ferrishtesh në kodrën në hyrje të Ksamilit.
Ardhur në qytezën e agrumeve kur ishte 6 vjeç, në 72-shin, nga fshatrat e Korçës, ai është banor i pallatit të njohur si “i korçarëve”, që mund të quhet pra një ksamiolit denbabadenas, edhe pse jo sarandiot, pasi i tillë u krijua Ksamili, me të ardhur ngamos, për ta shndërruar atë vend në perlë agrumesh në komunizëm, jetuar aty, pa e ditur se do vijë një kohë që ajo pllajë buzë Jonit, ato kodrina, do ishin vendi më i kërkuar për pushime në Shqipëri.
Nën këtë perspektivë, në vitin 2005, Çlirimi, pas vitesh emigrant në Gjermani, madje gjerman me shtetësi, vendos të investojë në një biznes aty ku u rrit, në qytezën e tij. Hapi një lokal jo buzë detit, aty ku do rendin të gjithë, por në majë të një kodre, mes ferrishtesh, për ta shndërruar, sipas vizionit të tij, në një oaz relaksi natyror, një alternativë ndryshe, për ta shijuar Ksamilin dhe kaltërsinë rreth tij nga lartësia.
Veproi sipas kontekstit të kohës, me një leje dhënë nga komuna, por dhe me shumë privime infrastrukturore, si rrugë, ujë, ndriçim, për të cilat investoi në vite nga xhepi i tij për t’i patur atje, në lartësi. Sepse, siç thotë, deri në 2013 ka punuar me gjenerator.
Godinën e lokalit është kujdesuar ta ketë të shkrirë me terrenin natyror, duke patur statusin “strukturë e lehtësuar”, angazhuar një inxhinier për të, pa i besuar vetes kompetencë për diçka që kërkon mendim profesionist.
Kështu, me këtë rrugëtim, jo fort të lehtë, duke patur parasysh se punuar në një terren të vështirë për ta bërë sa më simpatik në kuptim të fantazisë natyrore, në vitin 2017, përgatit dosjen për legalizim, duke ia dorëzuar shtetit, njëherësh, duke qenë tërësisht në rregull me shtetin për të gjitha detyrimet që obligohej.
Dhe këtu nis një dramë e vërtet, siç mund të merret me mend. Puna me shkëmbinjtë atje në lartësi, me terrenin e egërt, s’ishte asgjë përballë njerëzve si ai në formë por jo në përmbajtje, atyre që paguhen t’i shërbejnë qytetarit, por që në realitet janë vrasës të qytetarit.
Prej atëherë, pra që nga 2017-ta, e deri më sot, Çlirim Koburi thotë se është torturuar paq zyrave përkatëse, duke hasur në rryshfetxhinj, gënjeshtarë, arrogantë, shpërfillës, por me shumë pak përjashtime edhe njerëz korrektë.
Dhe kjo e ka detyruar që të veprojë së fundi dhe si shtetas gjerman, duke i kërkuan ndihmë shtetit të tij. Ai ka paraqitur në ambasadë hallin e tij, nga ku ka marrë përgjigjen për ndihmesën me një avokat. Këtu po, ka shpresë, ndoshta është e e fundit, se vetëm si gjerman mund t’i diktojë shqipot e shtetit t’i përgjigjen për atë që i takon.
Ai rri e vështron trishtueshëm Ksamilin romantik të vjeshtës nga lokali i tij ende “në ajër”, në pritje për të ekzistuar më tej apo jo, siç ai, për të vijuar jetën si “i kthyer në vendin e tij” apo t’u kthyer sërish në Gjermani, aty ku ka familjen, i përzënë nga shteti i keq i tij, ai shqiptar.
Sepse mbi kokën e tij rëndojnë shumë dyshime: më kryesori, ai që dikush, ose disa, të cilët mund t’i kenë vënë syrin asaj kodre – dhe kjo luftë po bëhet normale në Ksamil – duan që ai të mos jetë aty.
E lexon këtë konspirativisht dhe te shumë dëme që i bëhen në pronë, kryesisht vjedhje, nga hije të ndryshme njerëzore, për të cilat policia e atyshme s’i është përgjigjur kurrë.
E ka lexuar këtë madje dhe te zjarri i rënë në mes të sezonit, ai i cili u bë lajm dhe në Korfuzin fqinj, pasi ishte pak metra larg lokalit të tij.
Një fat i madh e shpëtoi pa u shkrumbuar atë natë, ku për ironi, ishte rruga e hapur prej tij apo sheshi para lokalit, që bëri të mundur ngjitjen e qëndrimin e zjarrikëses, që në kushte të tjera do ishte e pamundur. Në kushte te tjera, zjarri do kishte përpirë gjithë kodrën e do kërcënonte banesat.
Mbi të tashmë rëndon dhe zhënjimi. I gjermanizuar, ka besuar se dhe vendi i tij po ec në këtë rrugë: drejtësi, shtet korrekt, joshje investitorësh apo emigrantësh për t’u kthyer, por që gjitha i kanë rezultuar një hiç. Aq më shumë kur zyrave të shtetit është ndeshur dhe me fraza përçmuese nga lloj zorzopi, prej atyre dallkaukëve që paguhen me taksat tona, që mirë s’janë të aftë, por janë dhe harbutë, të tipit: “Hej, ku kujton se je, në Gjermani?” /sarandacity.al/