Mësuese dhe drejtuese shkolle, Liri Kavo ka lindur në shtator te vitit 1932 në Sarandë.
Përfundoi shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesme në qytetin e lindjes. Mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Gjirokastrës, në degën Histori – Gjeografi.
Punoi si mësuese në rrethin e Beratit, në shkollat e Konispolit, dhe 8-vjeçaren e Gjashtës.
Pjesën më të madhe të kohës ka punuar në qytetin e Sarandës, fillimisht drejtore në Shtëpinë e Fëmijës, dhe բër shumë vite, drejtore e parë e shkollës “9 Tetori”.
Kërkuese, korrekte dhe mjaft serioze, por dhe sportiste si pjesëmarrëse në garat e atletikës, vështirë ta shihje të qeshte. Përgatitjes për ditarin i kushtonte rëndësi sa që kur punonte me të donte një qetësi absolute. Aq e përkushtuar ishte në punë si mëuese dhe drejtuese sa që dhe një burrë do ta kishte zili.
Për hir të mbarvajtjes së punës, ajo nuk donte të dinte se kë kishte përpara nga nomenklatura e partisë apo pushtetit kur ngrinte probleme dhe kritikonte.
Shtëpia e saj ishte shtëpi e dytë për fëmijet e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë.
Shoqja e ngushtë e saj Lumturi Xhani do të jepte këto përshtypje për të.
“Liri Kavua ishte një grua e vrejtur, hijerëndë e autoritare. Kjo ishte përshtypja ime e parë që pata për zv/ drejtoren e shkollës në ditët e parat të njohjes. Jeta e saj nuk kish qënë e lehtë por Liria ishte më e fortë se dallgët( e thatë, por e thante- i thonim me vonë).
Në pamje kishte një trup të gjatë e të dobët. Kishte një karakter burrëror e me kalimin e kohës u bë për ne model i përpjekjeve për emancipim e barazi.
Fjalëpakë gjatë kohës së punës dhe shumë e prerë. Sa autoritare dukej në pamje, aq tolerante dhe e llogjikshme ishte. E drejtpërdrejtë, e barabartë për kritika edhe kur kishte shumë miqësi me personin. Jashtë orarit të punës një qytetare model, e thjeshtë dhe korrekte. Një grua me shumë kurajo dhe sedër por edhe plot humor e batuta.
Pavarësisht se ishte nënë e tre fëmijëve dhe e ngarkuar me shumë detyra shtetërore e shoqërore, ajo nuk ju nda arsimimit pa shkëputje nga puna e as aksioneve e punës vullnetare si aktiviste shoqërore që atë kohë nuk ishte e paktë. Për ne mbeti një grua idealiste që përballoi jetën me kurajo dhe dinjitet edhe në momentet më të vështira të familjes se saj.
Liri Kavua ishte një grua që jetën e saj ja kushtoj më shumë shoqërisë se sa vetes së vet”.
Për punë të mirë është vlerësuar nga organet e pushtetit me fletë nderi dhe ka marrë titullin “Mësuese e Merituar”.
U shua në Sarandë më 8 dhjetor 2003.
Pas vdekjes, Këshilli Bashkiak i ka dhënë “Diplomë Nderi”. /sarandacity.al/