Ka ardhur më në fund dhe përshëndetja korteziale e Niko Kurit, pas faktit që ai tashmë do jetë deputet në parlamentit e dalë nga 25 prilli.
Me një shqipe tejet korrekte, gati befasuese, doktori i njohur i Sarandës, i cili për gjuhë të mëmës ka greqishten, veçon te vota që i është dhënë bashkëjetesën fetare dhe etnike.
Në fund, zgjedh të epilogojë me atmosferën e Pashkëve.
“Të dashur bashkëqytetarë të bashkive Sarandë, Finiq, Konispol, Delvinë, Himarë, Vlorë,
Jam shumë i nderuar që më 25 prill nënshkruat me mua në letër të bardhë kontratën e përfaqësimit tuaj në parlamentin e ri të Shqipërisë dhe për këtë nuk mjafton vetëm një falënderim i thjeshtë por një mirënjohje e madhe e cila shpërblehet vetëm me punë dhe vepra. Por më i nderuar ndjehem që në këtë fushatë ju ditët të manifestonit kulturë demokratike, humanizëm të theksuar dhe mençuri qytetare.
Vota juaj shumëngjyrëshe, e prejardhur nga etni, besime fetare dhe politike të ndryshme ishte për mua një dhuratë e veçantë por edhe një mesazh i qartë për të gjithë politikën se ju doni paqen, bashkëjetesën, përparimin në vendlindjen dhe shtetin tonë të përbashkët.
Unë e di që tek personi im ju nuk zgjodhët politikanin por njeriun tuaj të afërt, atë që besoni se do t’u përfaqësojë denjësisht dhe se do t’u ndodhet më shumë në hallet tuaja. Dhe nuk keni gabuar! Unë nuk do t’u zgënjej!
Pranë jush do jem gjithmonë qoftë si deputet, qoftë si mjek.
Le të besojmë tek Ringjallja!”, shkruan në mesazhin e tij dr. Niko Kuri. /sarandacity.al/