Kandidati Niko Kuri ka përcjell një mesazh final për elektoratin, pas një muaji fushatë, duke thënë se ashtu si në mjekësi me Betimin e Hipokratit, edhe në politikë duhet mbajtur fjala e dhënë.
Mjeku i njohur saranadiot që kandidon për mazhorancën socialiste, thotë se e përjeton 25 prillin si një barrë të rëndë.
“Kësaj here jam edhe unë në gjykimin tuaj dhe brenda vetes ndjej barën e rendë të ditës së nesërme, pasi gjatë gjithë kohës që ne bashkëbiseduam konstatova se me mirënjëhjen tuaj ma kini paradhënë misionin e përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë.
Vijmë në këtë sfidë pas një prove të madhe e cila ka denjuar të ndryshojë jetën tonë, të thyejë shpresën tonë për të ardhmen: betejën e ashpër me pandeminë. Ishim të tërë bashkë, ndihmuam njeri-tjetrin ndaj kemi deri tani përparësinë. Në këtë betejë ju ishit heronjtë dhe jo unë që thjeshtë respektoja betimin e Hipokratit. Bindja ime e thellë është se kur betohemi duhet ta mbajmë këtë betim”, shkruan dr Kuri.
Ai më tej bën paralele mes mjekut dhe politikës, që sipas tij kanë në vëmendje njeriun.
“Misioni i mjekut lidhet me njeriun, me shëndetin e trupit dhe të shpirtit. Dhe, çdo recetë apo kurim jep rezultat kur ekzaminon dhe vlerëson çdo simptomë të dukshme apo të padukshme. E njëjta gjë është edhe për jetën e qytetarit; nëse nuk njeh mirë problemet e tij, është e pamundur të japësh ndihmën e duhur tek bashkëqytetarët që, përveçse shëndetit kërkojnë të jetojnë të lirë, të begatë dhe të sigurtë në folenë që kanë zgjedhur në këtë botë.
Munda të njoh shumë prej problemeve tuaja, u ndërgjegjësova se zgjidhja e tyre varet nga sa ata që munden do të kontribuojnë në momentin e duhur dhe sa prej tyre mund të mbajnë fjalën për ato që premtuan pa doganë në fushatën parazgjedhore”.
“Unë e mbaj fjalën time”, vijon më tej mjeku i njohur, duke përfunduar:
“U zotova para jush se nuk do të shkëputem nga misioni i mjekut në spitalin ‘Petro Nako’ dhe e mbaj fjalën time se midis jush kam familjen time dhe ju që ju ndjej si familjen time të madhe!”. /sarandacity.al/