U konsumua këtë të enjte në parlamentin shqiptar një irritim i radhës i Dules me Ramën, pasi ky i fundit nuk ishte prezent pët një interpelancë thirrur për aspekte të të drejtave të Minoritetit. Rama ia kish deleguar niviciotes Spiropali përgjigjet që duhej t’i jepte Dules, por ky i fundit u ndje i poshtërruar dhe nuk pranoi.
Po si erdhi puna gjer në këtë pikë?
Mes shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë ekziston një mit mbi Ramën se ai është grek. Nuk dihet se nga ç’e dhënë janë nisur për ta renditur tek “gjakprishurit”, ndërkohë që e vetmja lidhje e Ramës me Greqinë është fakti se të parën dalje “jashtë shteti” gjatë viteve `90-të, si jo basketbollist, e ka patur pikërisht në Greqi, në Korfuz.
Para se vijë në pushtet në 2013-ën, në sallonet e PS-së përflitej për një qasje tjetër në marrëdhëniet me Greqinë, ku thuhej se Rama nuk do ndiqte politikën kokëulur përballë Athinës siç kishin vepruar paraardhësit e tij; aq më tepër nga fakti se gjatë qëndrimit në opozitë, kishte skalitur dhe një copëz kauzë atdhetare duke kundërshtuar fuqishëm paktin detar me Greqinë firmosur nga qeveria e Berishës, të cilën, si opozitë e çoi dhe në Kushtetuese dhe që më pas u rrëzua.
Por Dule, si një aleat tradicional i së majtës nuk u ndje.
Madje as kur Rama dha mesazhin e parë pas marrjes së pushtetit se me Athinën raportet nuk do i kish dhe aq miqësore: fqinjin rrugor vendosi ta vizitojë pas Turqisë dhe Italisë.
Brofja në këmbë e Dules do vinte në çastin kur sheh se Himara, kjo “kështjellë greke” buzë Jonit, po merrej me anë të reformës administrativo-territoriale të ndërmarrë nga Rama.
Himara po shkrihej me Vranishtin lab, pra me lumin e Vlorës “musliman”, duke e shqiptarizuar përfundimisht atë. Dhe një dorë të mirë për këtë po e jepte dhe ai, bregdetasi tjetër, qeparjoti Koço Kokëdhima.
Nga ana tjetër, çami Shpëtim Idrizi, po merrte “dhuratë” nga reforma administrative-territoriale një bashki si ajo Konispolit, e cila i futej si pykë në mes territorit grek dhe minoritetit në territorin shqiptar, për më tepër si një bashki çame.
“Dhuratë”, ngase Idrizi do luante rolin e opozitës me votë “pro” reformës, duke e bërë atë konsensuale, meqë PD-ja e refuzoi apriopri; jo për shkaqe nacionale, por për shkaqe të vetëkuptueshme politike.
Më pas, i kapur nga ethe nervozizimi, Dule nuk do mundej të bënte sadopak të urtin në marrëdhënie me Ramën, derisa erdhën zgjedhjet lokale të 2015-ës, ku partia e themeluar nga burri i urtë, delvinjoti Vasil Melo, të shkërrmoqej si formacion politik deri në ç’faktorizim.
Puna arriti deri në atë pikë sa Rama dhe të “shkishërohej” nga një prift grek, pas incidentit me kishën e Dhërmiut, ku dhe Dule iu bashkangjit korrit të ankimtarëve dhe denoncuesve për atë që çka bëri ruspa e Ndërtimores me objektin të konsideruar si kishë.
Kjo bëri Dule të afrohej PD-në, hera e parë kjo, si e vetmja mundësi e tij për mbijetesë politike. Sot madje ai është në parlament vetëm falë PD-së, edhe pse ka marrë një numër minimal votash.
Ndërkohë, edhe pse PBDNJ nuk ekziston më si faktor politik por veç si sigël, si dhe vetë Dule, Minoriteti gëzon dy bashki në Jug, njërën madje në kurriz të Delvinës. Megjthatë, për Dulen e rëndësishme ka qenë Himara. Ajo assesi nuk duhej të pikëtakohej me Labërinë. Këtu nisi dhe ndarja e thellë mes dy miqve. /sarandacity.al/