Pas 8 vitesh që nga krijimi, Agjencia e Bregdetit, një dikaster i që u formua në qeverisjen “Rama 1”, do rishihet dhe njëherë sa i përket rolit dhe kompetencave.
E ngritur dhe më pas i drejtuar nga Auron Tare, i cili tentoi të adaptonte modelin francez, duket se kjo agjenci nuk ka mundur dot të kryjë deri më tani atë për çfarë u krijua. Për Taren, është pikërisht kështu. Sipas tij, pengesa të llojllojshme u shfaqen ndaj kësaj agjencie, me mision disiplinimin e vijës bregdetare të zhytur në kaos.
Por Rama tenton t’i rikthehet rolit të saj, deri diku dhe sipas modelit të skicuar “Tare” por pa këtë të fundit në krye, ndonëse së fundi është ofertuar për t’u kthyer.
Kështu, një draft i ri është krijuar për rolin dhe kompetencat e Agjencisë së Bregdetit, ndodhur kjo ndërsa në terren problemet e mprehta vazhdojnë: ndotje, zaptime, sherre, deri dhe vrasje siç ndodhi në Velipojë.
Drafti i ri:
-AKB-ja realizon mbrojtjen dhe menaxhimin e zonës bregdetare, promovimin dhe monitorimin e projekteve në këtë zonë, ndjekjen e zhvillimit të zonës bregdetare e të planeve të miratuara nga autoritetet e planifikimit;
-Zbaton dhe merr pjesë në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre;
-Bashkërendon programet e lidhura me zonën bregdetare dhe nxit investimet në zonën bregdetare;
-Kontribuon në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e të strategjive të lidhura me menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
-Bashkëpunon me organet përkatëse sipas përcaktimeve të këtij ligji, për projektet dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe zhvillimin e bregdetit dhe monitorimin e zbatimit të tyre;
-Bashkëpunon me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë vendas dhe të huaj si dhe i fton për pjesëmarrje dhe përfshirje në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
-Monitoron zbatimin e dokumenteve të planifikimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore dhe vendore në zonën bregdetare;
-Monitoron respektimin e rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare;
-Harton rregulloren e posaçme për administrimin e hapësirat publike të zonës bregdetare, që përdoren si plazhe publike apo të administruara nga subjekte private dhe i’a propozon për miratim Këshillit të Ministrave;
-Monitoron respektimin e kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet shtetërore dhe private, si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit;
-Harton rregulloren për disiplinimin e zhvillimit të veprimtarive/aktiviteteve sportive, argëtuese, turistike dhe kulturore të cilat zhvillohen në zonën bregdetare. dhe ia propozon për miratim ministrit përgjegjës;
-Monitorimin e respektimit të kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare;
-Lajmëron organet shtetërore kompetente për rastet e konstatimit të shkeljeve administrative, veprimeve apo mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, dhe propozon marrjen e masave përkatëse ndaj personave përgjegjës;
-Administron pasuritë e paluajtshme shtetërore dhe publike, të cilat i kalohen në përgjegjësi administrimi, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi;
-Krijon regjistrin elektronik për pasuritë e paluajtshme të zonës bregdetare, formati i të cilit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin;
-Mirëmban dhe pastron bregun e detit. Pastrimi dhe mirëmbajtja realizohet nga vetë Agjencia ose me subjekte privatë të kontraktuar nga Agjencia. Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e bregut të detit nga subjektet private/publike nuk i nënshtrohet ligjit për prokurimin publik. Rregullat për pastrimin dhe mirëmbajtjen e bregut detar si dhe procedura e përzgjedhjes së subjekteve privat/publike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
-Jep me qira sipërfaqe të caktuara të bregut të detit për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme përfshirë aktivitetet/veprimtaritë sportive argëtuese dhe turistike në det. Kriteret, procedurat dhe masa e dhënies me qera përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
-Miraton kryerjen e aktiviteteve në bregun e detit dhe aktivitetet/veprimtaritë sportive argëtuese dhe turistike në det si dhe kryen planifikimin e aktiviteteve/veprimtarive në bregun e detit si dhe përcakton kushtet dhe kriteret për ushtrimit e tyre;
-Jep paraprakisht mendimin e saj për lejet zhvillimore dhe lejet e përdorimit në zonën bregdetare, me përjashtim të bregut të detit, nëpërmjet verifikimit të kritereve të menaxhimit të zonës bregdetare, përpara miratimit përfundimtar nga ana e organit kompetent për lëshimin e tyre, përcaktuar sipas legjislacionit për planifikimin e territorit.
-Harton planin e menaxhimit të bregut të detit, i cila përmban planin e detajuar të veprimtarive në bregun e detit, në zonat për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detar si dhe tarifat për ushtrimin e tyre, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.
Detyrat dhe përgjegjësit e Agjencisë
-Agjencia, në funksion të veprimtarisë së saj, kryen të gjitha veprimet dhe ndërmerr të gjitha nismat e nevojshme në mbështetje të planifikimit dhe menaxhimit të integruar të territorit dhe të veprimtarive që zhvillohen në zonën bregdetare, duke informuar, bashkëpunuar dhe ndihmuar organet shtetërore, subjektet private dhe personat e interesuar dhe ka këto përgjegjësi dhe detyra:
-Kryen inventarizimin e territorit të zonës bregdetare;
-Organizon, nxit dhe kontribuon në projektet, aktivitetet dhe veprimtaritë që kanë për qëllim mbrojtjen, administrimin dhe rritjen e cilësisë së vlerave të peisazhit, burimeve natyrore si dhe të trashëgimisë natyrore e kulturore në zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë;
-Fton, nxit dhe bashkëpunon me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtare apo vendas, për pjesëmarrjen dhe përfshirjen në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
-Ofron shërbime të ndryshme, sipas përcaktimeve të këtij ligji kundrejt tarifave përkatëse, të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
-Ushtron kontrollin e saj në zonën bregdetare, duke monitoruar respektimin e rregullave mbi përdorimin e pasurisë publike.
-Kontrollon respektimin e kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet private/publike si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit.
-Merr masa në rastet e shkeljeve të kritereve ligjore, dhe zbaton sanksionet e parashikuar nga ky ligj dhe nga legjislacioni shqiptar në fuqi, me qëllim shmangien e dëmtimit të zonës bregdetare. /sarandacity.al/