Sot ka festë, festohet Bajrami i sakrificës së kurbanit. Në gjuhën arabe quhet Eidal-Adha. Kuptimi etimologjik i fjalës Adha do të thotë sakrificë, por një tjetër kuptim lidhet edhe me lidhjen e gjakut brenda familjes, pra një sakrificë që prek ose teston lidhjet familjare.
Në pamje të parë ka një oksimoron midis dy termave: sakrificë dhe festë. Por në fakt ky është një nga qëllimet që njeriu mund të festojë edhe duke sakrifikuar.
Sakrifica në vetvete nuk është humbje por një këmbim në diçka të dhimbshme për diçka më të mirë dhe më të drejtë. Dhe pikërisht këtu qëndron festa; tek arritja e tejkalimit të egos dhe individualitetit, e cili është vlerë në bjerrje e njerëzores, apo tek kujdesi përtej vetes; për familjen, fqinjin dhe komunitetin më gjerë. Jo më kot kurbani ndahet në tre pjesë ku një e treta ndahet për vete, një për të afërmit dhe një për të varfrit.
Kjo festë është në fakt mësimi më i mirë sesi ai që merr përsipër të ndërtojë ose drejtojë një shoqëri duhet të këtë parasysh. Dhe jo pa qëllim e gjithë ngjarja lidhet me një ndër liderit kryesorë të njerëzimit sipas perspektivës se feve abrahamike dhe testi i tij kalon nëpërmjet familjes dhe jo pushtetit.
Çdokush do të mendonte që sprova më e madhe e një qeveritari mund të jete sprova me pushtetin. Ngjarja e Ibrahimit jep një tjetër perspektivë. Një lider i cili merr përsipër të drejtojë një shoqëri duhet ta konfigurojë këtë lidership me suksesin e tij në qelizën e shoqërisë siç është familja. Pra Zoti ktheu në një festë të detyrueshme për besimtarët muslimanë kalimin e sprovës së liderit të njerëzimit me një sprovë familjare, atë të babait me të birin.
Ibrahimi, për shkak të devocionit të tij të pakompromis ndaj Zotit iu premtua që do të ishte lideri i njerëzimit. Ai njihet ndryshe dhe si “Babai “profetëve pasi prej tij rrjedhin Muhamedi, Musai (Moisiu) dhe Isa (Jezusi).
Por çfarë është kjo ngjarje e cila jo vetëm festohet por është një ndër ritualet kryesore të pelegrinazhit (Haxhit)?
Profeti i shquar Ibrahim(Abraham) ishte ngarkuar nga Zoti me kauzën më të rëndësishme siç ishte hedhja e themeleve e ngritjes së një shoqëri që adhuronte vetëm një zot, Allahun, Zotin e vërtetë. Ai jetoi në një kohë kur ideologjia e kohës diktohej nga paganizmi dhe idhujtaria. Mbretërit e kohës e përdornin artin si një mjet sundimi dhe robërimi të shoqërisë duke e fshehur skllavërimin pas dëshirave të zotave. Pra, paçka që problemet vinin nga mbreti, hallet duhet t’i zgjidhnin idhujt. Sigurisht, e gjithë kjo marrëdhënie fshihej mbas mjeshtërisë se skulptorëve të kohës të cilët arrinin që nëpërmjet artit të keqorientonin shoqërinë në lidhje me burimin e problemeve por dhe rrugët e zgjidhjeve.
Babai i Ibrahimit, Azhari(Terah) ishte një ndër skulptorët më të njohur të kohës dhe sigurisht pjesë e regjisë së robërimit të shoqërisë nëpërmjet artit të krijimi të zgjidhjeve të rreme siç ishin idhujt. Ibrahimi u rrit pra në një ambient të tillë por i udhëzuar nga Zoti do të ngrinte shumë pikëpyetje ndaj këtij sundimi nëpërmjet mashtrimit me idhujt. Ibrahimi pra do të ishte i pari i cili do të trondiste themelet e ideologjisë së idhujtarisë duke e konsideruar atë si një ndër format më tipike të robërimit të njerëzimit nga qeverisje të korruptuara që në gjenezë. Ibrahimi debatoi me të gjitha nivelet e shoqërisë më të zhvilluar të kohës, duke filluar me mbretin e Babilonisë (Nemrudin), elitën e kohës por dhe babain e tij.
Pra Ibrahimi na vjen në Kuran jo vetëm si një misionar por dhe si një intelektual i kohës i cili merr përsipër të ngrejë pikëpyetje serioze mbi ideologjinë sunduese. Dhe e gjithë narrativa e dialogjeve të Ibrahimit konsiston në atë se besimi tek Zoti është e drejta kryesore natyrore dhe ajo është garancia e lirisë së njeriut nga skllavërimi i çdo forme banale në dukje apo të sofistikuar.
Ibrahimi u dënua me vdekje, madje me djegie në zjarrin më të madh që mund të ketë pasur njerëzimi, e kjo si një mesazh që mbreti dhe shoqëria e kohës donin t’u jepnin atyre që shpresonin të ndiqnin besimin e Ibrahimit. Ky është momenti që Ibrahimi kalon nga etapa e kundërshtimit të një qeverisje të korruptuar në etapën e dytë, në atë të ngritjes së një modeli alternativ suksesi.
Fillimisht Ibrahimi do të udhëtonte në misione të ndryshme në Sham, në Egjipt, ku përveç ftesës që i bënte njerëzimit ai filloi dhe krijoji një eksperiencë të rëndësishme njerëzore. Në këto udhëtime ai do të njihej dhe krijonte lidhjet e tij bashkëshortore me Sarën dhe Haxheren.
Tashmë Ibrahimi bashkëshort por dhe udhëheqës, i kërkohet të ndërtojë një familje model por dhe një shoqëri model, duke hedhur themelet e nje fabrike sociale e cila ka si fill kryesor mbajtës të saj besimin tek Zoti.
Historia e Festës së Sakrificës nuk fillon me Ibrahimin si lider por me Ibrahimin si baba. Në një moshë të thyer (86 vjeç) Ibrahimi i kërkon Zotit me lutje që t’i dhurojë “një fëmije prej të mirëve”. Dhe Zoti ja plotëson këtë lutje duke i dhuruar Ismailin, një fëmijë i cili kishte cilësi që çdo prind do t’ia dëshironte një fëmije; butësinë dhe sjelljen model.
Një ndër objektivat e Ibrahimit ishte të ndërtonte Kaban (Qabenë), e cila konsiderohet vendi i parë në tokë dhe më kryesori për adhurimin e Zotit. Në ndihmë Ibrahimit në ndërtimin e Kabes do t’i vinte dhe Ismaili. Pra Ibrahimi dhe djali i tij Ismaili janë autorët e objektit të kultit më të rëndësishëm në shoqërinë njerëzore sipas besimit islam. Lidhja midis Ibrahimit dhe Ismailit nuk ishte një lidhje e thjeshte gjaku por tashmë një lidhje qe mbarte një mision të jashtëzakonshëm i cili kapërcente kufijtë e një marrëdhënie baba/djalë. Ishte një aleancë e ngritur mbi premisën e një shoqërie të drejtë dhe të ndershme dhe e orientuar drejt së vërtetës.
Misionet e mëdha kërkojnë sinqeritet dhe kjo më së shumti tek lidershipi. Një lider i suksesshëm tashmë do të kalonte në testin më të vështirë të qeverisjes: testin e sinqeritetit. Misioni i Ibrahimit ishte orientimi i njerëzve drejt besimit tek Një Zot, por pushteti pastoral mund të kthehet në një mjet po aq korruptiv qeverisës nëse ai nuk është bazuar në qëllime dhe objektiva të cilat lidhem më të drejtën. Zoti teston qëllimin dhe objektivat e Ibrahimit në këtë mision me atë që do të detyronte shumëkënd të përulej ose të dorëzohej; sakrifica e fëmijës. Ibrahimi ishte në fund të misionit të tij, në një moshë të shtyrë dhe jo shumë larg takimit me Zotin e Tij. Por Ibrahimi edhe këtë sakrificë të jashtëzakonshme e kaloi në të dy dimensionet, si lider por edhe si prind. Si lider ai jo vetëm që e mori kërkesën e Zotit seriozisht, por filloi të merrte masat për zbatimin e saj. Si prind ai respektoi të drejtën e djalit duke i treguar atij se Zoti e kishte urdhëruar për këtë sakrificë, e duke i marrë dhe atij mendim. Dhe ky është momenti kur kjo histori nënvizon sesa e rëndësishme është ndërtimi i një familje të mbrujtur me vlera nga pikëpamja e një lidershipi të suksesshëm. Ismaili, në vend që të habitej, tmerrohej dhe të protestonte ndaj të atit, në të kundërt i përgjigjet atij ashtu siç i takon një ndjekësi të denjë të një misioni por dhe një fëmije të jashtëzakonshëm që ushqen respekt për prindërit e tij. Përgjigja e Ismailit do të ishte jo vetëm bindje por dhe inkurajuese për liderin e tij duke i thënë se ti në këtë mision “do të më gjesh prej të durueshmëve”.
Ky është momenti sublim kur babë e bir, lider dhe ndjekës kalojnë një sprovën më të vështirë: atë më vetveten. Dhe Zoti, për ta shenjuar këtë simbolike sublime zbret një qengj nga parajsa për ta kthyer tashmë sakrificën në një festë.
Njerëzimi nëpërmjet një ngjarje në dukje të thjeshtë, por me një kërkesë në dukje në kufijtë e irracionalitetit, mëson se një njeri, baba, lider mund të arrijë në kufijtë e përsosmërisë vetëm atëherë kur ai do të arrijë të sakrifikojë gjënë më të dashur të tij për një shoqëri më të drejtë. Vetëm duke dhënë nga vetja mbase atë që në kuptimin personal është shumë e dashur për ty por e nevojshme për kauza të drejta, do të mund të çosh përpara misionin e vështirë të shpëtimit të njerëzimit nga qeverisje të padrejta dhe të korruptuara. Dhe kjo sipas besimit islam fillon nga vetja, fillon nga familja jote.
Në këtë kontekst, besimtarët muslimanë nëpërmjet festës së Kurban Bajramit, gëzojnë shenjtërimin e disa vlerave thelbësore për një shoqëri të lirë dhe të drejtë, siç janë besimi ndaj Zotit, sakrificës së personales për një të mirë shoqërore, dhe ndërtimit të një familje të shëndoshë dhe me vlera. /sarandacity.al/