I gjen te lokalet e lagjes “Kodër”, një çift rreth të dyzetave që shijojnë kafen sade me pamje nga deti.
“Ky qytet është një mrekulli në pranverë, ne gjithmonë vijmë në verë por jam mrekulluar me kohën në pranverë në këtë qytet”, na thotë e magjepsur Anisa.
Anisa dhe Neimi janë nga Shkupi. Aty zotërojnë disa biznese në fushën e marketingut.
Me masat e marra në Maqedoni për shkak të situatws COVID, ata vendosën t’i fillojnë më shpejt pushimet.
“Këtu situata është më e qetë tani që vaksinimet janë duke u bërë në masë. Ndihemi mirë këtu.”
Puna e tyre lidhet me marketingun online, ndaj u mjafton wifi dhe një laptop dhe mund të jenë kudo për ta bërë punën e tyre.
“Për fëmijët kujdeset nana me babën, që shyqyr Zotit shumë të rinj i kam dhe më ndihmojnë me ta. Sapo të mbarojnë shkollën do vijnë dhe ata këtu në Sarandë.”
Janë shumë të habitur se si këtu njerëzit janë më të lire. Thonë se maskat i mbajnë në çdo moment por nuk ndodh kështu në kur shkojnë të blejnë te marketi i lagjes, pasi në shumicën e rasteve shitësja nuk e mban maskën dhe u thotë se e ka kaluar me kohë COVID-in.
Janë duke kërkuar për të blerë një shtëpi, u pëlqen shumë lagjja e Kodrës, pasi sipas tyre, aty rrinë “kokat”.
U ka pëlqyer pa masë shëtitorja e re; thonë se dalin për ecje çdo ditë. Neimi çohet çdo mëngjes në orën 6:00 për të bërë vrap në shëtitore, ndërsa Anisa na thotë duke qeshur se është pak gjumashe në mëngjes e preferon ecjen më shumë mbasditeve.
U bie telefoni dhe u duhet të largohen: “Do blejmë shtëpi se boll ndenjëm me qera, ky qytet na ka marrë zemrën e është momenti që pas 5 viteve që vijmë me pushime të kemi dhe ne pronën tonë.”
“Ah moj Sarandë sa të ka bekue Zoti”, thotë Neimi para se të largohen. /sarandacity.al/