Panajot Çakalli, një ndër demokratët më të zjarrtë të Gjirokastrës. I ri, i arsimuar, profesor në Kolegjin “Frymë Dashurie”, ai është momentalisht Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në PD-në lokale, ndërkohë që ka mbajtur dhe postin e zv.kryetarit të FRD-së gjithashtu lokale.
Është i prerë në qëndrimet e tij: ka mbarruar koha e Bashës por jo ajo e Berishës dhe, në zhvillimet më të fundit në PD, është rreshtuar qartazi pro liderit historik në “Foltoren” e tij.
Po pse? Cilat janë argumentat dhe arsyetimet e tij?
Kritik me Bashën dhe jo vetëm tani që kundër tij është dhe Berisha. Pse? Pa mllef, me shpjegim të ftohtë politik…
Politika është një nga artet më të veçanta që ka prodhuar njerëzimi. Po të mos kishim politikë, s’do të kishim shtet, e kësisoj, po të mos kishim shtet, s’do të kishim për pasojë as qytetërim. Të menduarit politikisht, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, do të thotë të përdorësh arsyen, ta kuptosh realitetin nën filtrin e logjikës. Unë nuk kam asgjë personale me Lulzim Bashën. Madje do të shtoja, me askënd që kam kritikuar. Nuk më intereson personi, por akti,qëndrimi dhe vlerat që ai mbron, nëse i mbron kuptohet.
Lulzim Bashën e kam mbështetur, edhe pse s’e kam votuar, e kam ndjekur edhe pse s’e kam besuar, por vjen një moment kur njeriut i duhet të përballet me të vërtetën. Jam i ndërgjegjshëm për faktin se raporti i tij me të vërtetën është i rremë! Por ne të tjerët, çfarë duhet të bënim? Të heshtnim dhe të qëndronim pas një kryetari që e çon forcën tonë politike nga humbja në humbje?! Kjo do të ishte e palogjikshme. Heshtja jonë do të ishte vdekjeprurëse për forcën tonë politike. Me ndërgjegje të plotë, me koshiencën e qetë, më lejoni t’ju them se kam bërë gjithçka kam pas mundësi që zëri i bazës, i anëtarësisë së Partisë Demokratike të dëgjohet në kupolën drejtuese të PD.
Lulzim Basha është një tradhëtar, jo aq pse shiti Sali Berishën, gjë të cilën e kam paralajmëruar me kohë, po sepse tradhëtoi Partinë Demokratike. I la rrugëve demokratët, pa mbrojtje, pa punë, pa bukë. Tradhëtoi çdo kauzë opozitare. Prandaj ai duhet të ikë dhe do të ikë. Kam qenë i vetëm fillimisht kur shigjetoja kryetarin. Antarësia e Gjirokastrës habitej pse unë nuk dilja më në vijën e parë të frontit pas 2019-ës si më përpara.
Sinqerisht jua them, kur pashë dështimin e djegies së mandateve, bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe dorëzimin e bashkive, isha i bindur, thellë brenda meje, që 2021-shi ishte i humbur. Prandaj kërkova ndjesë ndaj demokratëve te Foltorja e Berishës në Gjirokastër. E ndjeja si detyrim moral ndaj tyre.
Njëherësh, me pasion një proberishian. Vetëm sot apo gjithnjë?
Gjithnjë! Nuk ka njeri në PD që të mos jetë berishist. Paradoksi sot është se nxënësit më të këqinj të Doktorit, që me servilizëm u ngritën në majë, me berishizëm tentojnë të eliminojnë edhe vet Berishën. Berishën nuk e rrëzuan socialistët, as Edi Rama. Sali Berishën e rrëzuan servilat e tij dhe idiotët “e dobishëm”. Është koha përfundimisht të ndahet shapi nga sheqeri.
Çfarë të tërheq te figura e Berishës, një cilësi e tij?
Janë të shumta vetitë, aftësitë dhe virtytet që gëzon Z.Berisha: karizmën e tij të padiskutueshme, oratorinë, aftësitë e jashtëzakonshme organizative, kurajon për të thënë gjëra që askush si thotë, etj. Virtyti që personalisht vlerësoj më shumë tek ai është vendosmëria për të korrigjuar atë që është bërë gabim. Nuk besoj se ka vlerë më të rëndësishme se kjo. Momentalisht, na duhet më shumë se kurrë!
Çfarë është një standart që Berisha ka sjellë në politikë, të cilin ju do e veçonit?
Është pak e paqartë pyetja. Nëse e keni fjalën për standartet që arriti PD gjatë qeverisjes së saj, në tërësi, pavarësisht të metave, standarti më i rëndësishëm që realizoi në këtë kontekst qe fryma e progresit, optimizmi për të ardhmen, afrimi i Shqipërisë me Europën, etj. Sot, që bëjmë krahasimin me gjendjen ku jemi, e kuptojmë fare mirë pse njerëzit bëhen nostalgjikë. Pastaj, nëse pyetja juaj i adresohet asaj se çfarë vlerash ka sjellë Sali Berisha për politikën shqiptare në përgjithësi, pa dyshim, kryevlerë është për të vullneti i tij i çeliktë i përballjes me të keqen.
Shpesh herë e kam dëgjuar Z.Berisha të citojë Edmund Burke, politikanin dhe mendimtarin konservator britanik, nga vepra e tij “Refleksione mbi Revolucionin Francez”, ku ai shprehet se e vetmja gjë e nevojshme për ngritjen e së keqes, është që njeriu i mirë mos bëjë asgjë. Nuk ka standart më të rëndësishëm se kjo. Është alfa dhe omega e demokracisë përballja me të keqen.
A është Berisha për ju edukues apo kulturues, qoftë dhe politikisht në mos në aspektin e thjeshtë njerëzor?
Shpesh, keqdashësit me alogjizmin e tyre, përpiqen të barazojnë berishizmin me enverizmin. Berishizmi është kulurë politike, një kulturë që nuk mbeti e pandryshuar. Në themel të berishizmit qëndron dinamizmi, e jo statizmi. Ky dinamizëm është që prodhon kritikën dhe frymën jokonformiste. Ju them me sinqeriteti më të madh: PD ziente edhe përpara se të fliste Berisha. Thjesht tani, pesha e autoritetit të Sali Berishës tërhoqi fuqishëm prozhektorët e mediave.
Ju i besoni asaj sipas së cilës “non grata” është punë e Edi Ramës dhe Sorosit?
Jo! S’mund të arrinin kurrë Edi Rama dhe Sorosi kaq larg pa konsensusin e Lulzim Bashës. E përsëris, Lulzim Basha e kishte shitur de facto atin e tij politik.
Ju jeni për një rikthim të Berishës në krye të PD-së, ndryshe nga teza se kohë e tij ka mbarruar?
Kthimin e Berishës në krye të PD nuk mendoj se e do as vet Berisha. Por Berisha i ka një borxh demokratëve, të largojë njeriun që e shkatërroi Partinë Demokratike në strukturë dhe në substancë: në strukturë duke kositur njerëzit nga listat si me qenë Stalin, si dhe në substancë, duke zhbërë vlerat dhe parimet e forcës sonë politike.
A shihni te “Foltorja” e Berishës dhe diçka emancipuese në aspektin politik, apo është thjesht një protagonizëm i domosdoshëm paçka moralit të diskutueshëm?
Platoni, babai i filozofisë politike, theksonte me të drejtë se kush s’kupton lidhjen mes moralit dhe politikës, nuk merr vesh as nga politika, as nga morali. Qartazi morali i mbivendoset politikës në çdo rast. Politika nuk është e pamoralshme, siç thuhet shpesh nga ca injorantë, janë politikanët ata që mund të zotërojnë ose jo virtytet morale. Berisha hyn te kategoria e atyre njerëzve që i gëzon disa parime për të cilat nuk negocion. Dhe mirë bën! Edhe ky kthim i tij me energji të shumëfishuara ka në thelbin e vet motivin moral.
Por a i jep kjo të drejtë Berishës? Sigurisht që jo! Foli me vonesë, ai është i ndërgjegjshëm për këtë. Është fajtor për këtë gjë. Prandaj kërkon falje në çdo foltore me demokratët. Foli me vonesë, por fundja-fundit më mirë vonë se kurrë. Diskutimet e gjera me anëtarësinë i japin jetë demokratizimit të brendshëm të forcës sonë politike. Në këtë kontekst turi i takimeve në mbarë Shqipërinë i Z.Berisha është mjaft emancipues për demokratët, por edhe për popullin shqiptar në përgjithësi.
Në rrafshin lokal, një ndër zërat më anti-Berisha është ish-kryedemokrati i Gjirokastrës, Roland Bejko. Besoj që vijoni të jeni miq paçka qëndrimeve ndryshe apo jo?
Nuk ka diskutim për këtë! Miqësia mbetet miqësi dhe respekti mbetet respekt. Duhen ndarë qëndrimet nga njëra anë, dhe raportet personale njerëzore nga ana tjetër. Përpiqem gjithmonë të mos i ngatërroj ato me njëra-tjetrën, edhe pse njerëzit keqkuptohen. Sigurisht që ndjej keqardhje për qëndrimet e fundit të Z.Bejko. Personalisht, i kam shprehur rezervat e mia për to. Dukshëm, Basha po e përdor Roland Bejkon në mënyrë konsistente duke i shkatërruar në praktikë autoritetin dhe reputacionin e tij te baza e Partisë. Z.Bejko, është një zë potent, po të shikoni, i vetmi zë potent që mbron Lulzim Bashën. Të tjerët janë thjesht servila dhe idiotë “të dobishëm”.
Por, kam përshtypjen se Z.Bejko i është errësuar arsyeja dhe e ka lënë veten, për fat të keq, të dominohet nga sentimentet, inatet, pasionet, apo dhe qejfmbetjet e mundshme ndaj Berishës. Me Z.Bejko na bashkojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha parimet e një demokracie që duhet të funksionojë brenda forcës sonë politike: debati i brendshëm, rrikthimi i garës në PD, primaret në parti në të gjitha nivelet, etj. Dallimi i vetëm mes nesh është se Z.Bejko insiston në ruajtjen e Bashës si kufomë politike të balsamosur në mauzoleun e SHQUP-it. Une them eshte koha ta varrosim. Sa më shpejt, aq më mirë!
Dhe në fund, si e parashikoni finalen e kësaj që po ndodh në PD?
Mënyra e adresimit më krijoi përshtypjen sikur po flisnit për një ndeshje futbolli. Gjithsesi, për t’u kthyer te thelbi i pyetjes suaj, në optikën time ka dy skenarë: një i dëshirueshëm, një i padëshirueshëm; një i mirë dhe një i keq. Skenari i keq do të ishte shkatërrimi përfundimtar i Partisë Demokratike, i të fundit forcë politike antikomuniste në Europën Lindore.
Skenari që unë do të dëshiroja do të ishte ngritja e Partisë Demokratike në piedestalin që ajo meriton, në një opozitë të vërtetë anti-rregjim, si dhe në një forcë politike që rrezaton shpresë për shqiptarët. Që të ndodhë kjo, kusht i panegociueshëm është largimi i parevokueshëm i Lulzim Bashës. Pa ikur Kryetari nuk mund të realizohet bashkimi i Partisë dhe pa bashkim të Partisë nuk mund të ketë garë reale. Kuvendi Kombëtar i Jashtëzakonshëm do të miratojë ndryshimet e domosdoshme për t’i hapur rrugë këtyre tre proceve. Lipset domosdoshmërisht për këtë një udhëheqje e përkohshme për gjashtë muaj, ose maksimumi një vit. Modalitetet e saj mbeten për t’u parë!
Personalisht do të preferoja një udhëheqje kolegjiale, një triumvirat të përkohshëm, një trini, si mishërim të të gjithë rrymave dhe korrenteve në Partinë Demokratike për të rritur në maksimum besueshmërinë e procesit. Të gjithë të kenë të drejtë të kandidojnë dhe të garojnë në të gjitha nivelet, përveç Lulzim Bashës! Zgjedhjet duhet të bëhen për të gjitha strukturat. Basha i ka të pazgjedhur që nga 2017. Është koha për ndryshim!
Bisedoi: Ermir Hoxha – /sarandacity.al/