Ishin bashkë që në vitin 1990, si dy vëllezër, dy shok, miq, ustallarë shumë të mirë, të nderuar dhe të respektuar.
Ishin bashkë jo vetëm pranë njëri-tjetrit, në bangot e punës por dhe në halle, probleme që kishin.
Ç’do gjë e zgjidhnin me mirëkuptim dhe buzëqeshje.
Këta dy ustallarë këpucarë janë Fatmir Sali (i paharuar ) dhe Luli Shabani.
Ata i gjeje gjithmonë në qendër të Sarandës, aty ku fillon tregu industrial.
Fatmir Sali, ose Miri, siç e thërrisnin, para viteve ‘90 ka punuar në NRSH, në Sarandë. Më pas provoi emigracionin por jo shumë, pasi u kthye në Sarandë dhe filloi zanatin.
Ishte një djalë gazmor, i ëmbël, me atë buzëqeshjen e tij karakteristike, fjalpakët dhe zanaçi shumë i mirë. Për të qau gjithë Saranda kur flama COVID-19 e mori nga fëmijët, gruaja, miqtë e tij që i donte dhe e donin aq shumë.
I pëlqente shumë sporti dhe ishte nga tifozët më të “ç’mendur” të ekipit të futbollit Butrinti. Po kaq i “çmendur” ishte dhe për vallet dhe këngët e bukura çame.
Ndërsa miku i tij i ngushtë Luli Shabani ka filluar punën si këpucar që në vitin 1978, në NPA e Delvinës dhe më vonë në Ndërmarjen e Riparim Shërbimeve në Sarandë.
Pas vitit 1990 ata ishin privatët e parë që hapën lokalin e tyre të shërbimeve, aty ku është sot.
I paharuar kujtimi i Mirit dhe jetë të gjatë usta Lulit! /sarandacity.al/