Kryebashkiaku Gurma denoncon aktin e shëmtuar të dhunimit të pronës publike në shëtitore, duke thënë se kjo është e pakuptueshme.
“Fenomene të shëmtuara, me skena vandalizmi karshi pronës publike, kanë ndodhur orët e fundit në qytet. Copëtohen koshat dekorativë prej betoni në shëtitore, duke dhënë pamje të trishtë edhe kur i shikon në këto foto, e jo më në realitet. Demtohen koshat e vegjël në rrugët e qytetit, shkulen e flaken ne det stolat dekorativë, në Plazhin e Ri.
E PAKUPTUESHME kjo ndjenjë sulmi ndaj të bukurës, utilitares, funksionales, për një qytet me mjedis të pastër”, shkruan njeriu i parë i Sarandës, duke ofruar pamje vërtet trishtuese.
Gjithsesi, njëri nga autorët është kapur, sipas asaj çfarë shkruan Gurma, pa e thënë se kush është.
“Reagimi i Policisë Bashkiake dhe asaj të Rendit kanë qenë të menjëhershëm, duke identifikuar, e vënë para përgjegjësisë ligjore, njërin nga autorët e kësaj çmendurie, ndaj qytetares dhe urbanes, me një instikt shkatërrues të pakuptueshëm”.
Më pas, kryebashkiaku apelon:
“Nga ky episod i shëmtuar dhe i dënueshëm, marrim shkas dhe APELOJMË, që në mbrojtje të pasurisë publike dhe jo në zhbërjen e saj, TË JEMI TË GJITHË!
Të jemi në mbrojtje të publikes, të mirës të bukurës, duke i dhënë më shumë qytetari, përditshmërisë sonë!”. /sarandacity.al/