Është konfirmuar tashmë ajo që mazhoranca do i japë mundësi opozitës që ta rishohin bashkë ndarjen e re administrative të 2014-ës, realizuar me një opozitë që e bojkotoi reformën. Që do të thotë se patjetër do ketë një ndarje të re.
Dhe, në kontekst lokal, vjen një pyetje: A do rishihet çështja e Delvinës, tkurrjes së saj, duke patur si pasojë një tkurrje burimesh me efekte të dukshme ekonomike për keq?
Mjafton një bilanc i fundit të ardhurash, ku Finiqi, i zgjeruar në kurriz të Delvinës, e kishte të mbushur arkën plot. Ndërsa në Delvinë është e kundërta.
Duhet kuptuar që ndarja e re territoriale nuk mund të jetë vetëm teknokratike por dhe politike. Bërja e Finiqit bashki patjetër që ishte e tillë. Ashtu siç Delvina, e tkurrur, ishte projektuar për të qenë një domen i LSI-së. Do qe në përgjegjësinë e kësaj të fundit që ta mbante të mirëmenaxhueshme në kushe të reja. Por kohët ndryshuan.
Tani është realitet krejt tjetër. Nëse kufijtë aktuale nuk do preken, kompensimi duhet të jetë shumë i madh, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani. Kur i merr diçka, duhet t’ja kompensosh atë. Ky rregull duhet të funksiononte dhe kontekst të mbylljes së Lazaratit, me impakt dhe këndej Sopotit, deri në Gajdar.
Delvina, e gjendur në kohërat më të vështira të saj, ka dhe një shans të madh. Quhet Anila Denaj. Me një profil të pastër politik, e zellshme për inisiativa, ajo gjendet para një provimi të madh për rregulluar atë çfarë është bërë keq deri më tani.
Si një zë joperiferik i mazhorancës, ajo s’duhet të jetë thjesht lobuese por dhe vulosëse e realiteteve premtuese në vendimmarrjen qeveritare për aspekte delikate të zonës së saj. /sarandacity.al/