Janë zbuluar detaje të reja lidhur me operacionin “Butrinit” ku u arrestuan 3 autorët e dyshuar të grabitjes me armë të noterit Thoma Kaçi, ngjarje e ndodhur në 20 tetor në lagjen nr.4, Sarandë.
Oltjon Pula, 39-vjeç nga Kruja rezulton të ketë ndërruar mbiemrin në Kolonja, duke përvetësuar atë të bashkëshortes së tij.
Ai rezulton bashkëpronar në një lavazho në lagjen nr.4 te qytetit.
Elis Avduli, 52-vjecë, në realitet është Mile Xhafa nga Konispoli, një ish-i dënuar në Greqi me 13 vjet heqje lirie për trafik ndërkombëtar droge.
Xhafa, para shumë vitesh është kapur në Igumenicë me mbi 300 kg marijuanë, por pasi kreu disa vite nga dënimi, doli me leje nga burgu grek për të mos u kthyer më.
I treti Vladrias Himaj, një 34-vjeçar nga Berati por me banim ne Sarandë, është një ish-punonjës i një prej supermarketeve të mëdha të qytetit.
Tre të dyshuarit janë ndjekur dje nga forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë Vlorë në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Policisë Sarandë.
Ata po vinin ndoshta nga Tirana për në Sarandë, kur në Gjirokastër kanë mundur të humbasin nga sytë e policise për disa minuta. Por më pas kanë rënë në “grackën” policore të ngritur në afërsi të hidrocentralit “Bistrica”, ku edhe janë ndaluar.
Brenda në mjet, por edhe gjatë kontrollit të banesave, policia nuk ka gjetur asgjë të kundraligjshme, edhe pse burime konfidenciale bëjnë me dije se në automjet vinte një erë karakteristike si ajo e drogës, duke hedhur dyshime për ndonje transport të mundshëm narkotikësh me atë mjet, një Wolskvagen Golf. Policia sekuestoi në një prej banesave një tjetër automjet si dhe 4 aparate celularë.
Para disa ditësh, policia sekuestroi në lagjen nr.4 të qytetit edhe një armë zjarri “Kallashnikov” që dyshohet se ishte hedhur nga tre te dyshuarit.
Ndërkohë, është paraqitur në Komisariatin e Sarandës edhe noteri Thoma Kaçi, i cili do i nënshtrohet procedures “paraqitje për njohje” me tre grabitësit.
Hetimet vazhdojnë intensivisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës. /sarandacity.al/