Për ODIHR, patronazhimi i mazhorancës në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit i bëri votuesit të ndiheshin nën presion. Thuhet kështu në raportin përfundimtar të këtij organizmi ndërkombëtar, i cili rendit ato që nuk shkuan në fushatë.
“Dalja personale e të dhënave të rreth 900,000 shtetasve shqiptarë para zgjedhjeve, përfshirë preferencat e tyre politike ishte një shqetësim serioz dhe i bëri votuesit të ndiheshin nën presion”, thuhet në raport.
Sipas ODIHR, mazhoranca i krijoi vetes disa avantazhe pushteti në funksion të zgjedhjeve.
“Pavarësisht strukturës së fuqishme ligjore të vendosur për të ndaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe minimizimit të përdorimit të postit, ministrat vazhduan fushatën gjatë angazhimeve zyrtare.
Fushata i dha partisë në pushtet një avantazh të rëndësishëm. Nxitja dhe presioni mbi nëpunësit civilë ishin fusha shqetësuese”, thekson ODIHR, që gjithashtu rezervon një fjali për kreun e shtetit: “Nga ana tjetër, në mënyrë zyrtare, Presidenti bëri fushatë kundër partisë në pushtet”.
Sa i përket blerjes së votave, nuk thuhet se ato u blenë por që pati akuza për blerje.
Pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike ishin gjatë fushatës dhe një numër i lartë e hetimesh nisi në këtë drejtim”.
Por më pas vjen një pohim tjetër nga ODIHR për blerjen e votave, duke e quajtur pretendim dhe jo të vërtetuar.
“Në një numër të kufizuar të qendrave të votimit dhe numërimeve të vëzhguara, procesi ishte kryesisht transparent dhe i qetë. Praktikat e përhapura të blerjes së votave, siç pretendohet, mbetën një problem”. /sarandacity.al/