Është thelluar dhe më situata absurde në PD, ashtu siç pritej, pasi krahu Berisha, te i cili janë rreshtuar dhe një pjesë e grupit parlamentar demokrat, përjashtoi Bashën si kryetar partie.
Kuvendi foltorist në Air Albania, vendosi që me 4446 vota pro të largoje Lulzim Bashën nga udhëheqja e PD-së.
Për një PD, atë të Berishës, Basha s’është më kryetar.
Berisha tha pas këtij momenti se “Ky është triumfi më madhështor, më magjik, më mahnitës i të gjithë triumfeve të tjera”.
“Sot, në 8 orë pa pushim, mbi 4934 delegatë firmosën në këtë monument madhështor të rivendosjes së pluralizmit politik, të rithemelimit të PD-së. Në këtë moment historik të revolucionit demokratik paqësor, që është në misionin e përmbysjes së narkoshtetit, të rivendosjes së të drejtës së shqiptarëve për votën e lirë, pa patronazhistë dhe pa opozitë kukull”.
Nga ana tjetër, te PD-ja zyrtare, aty ku është selia zyrtare, Basha si kryetar shkarkoi 11 kryetarë degësh që s’ju bindën partisë e rendën te Kuvendi i 11-ës, duke mos pranuar Kuvendin e 18-ës.
Kështu, janë shkarkuar krerët e degëve Tropojë, Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Vlorë dhe Gjirokastër. /sarandacity.al/