Vesel Koçiu, kreu i komanduar i PD-së Sarandë është i shqetësuar por aspak i kompleksuar mbi një qëndrim të tij ndaj zhvillimeve të pazakonta në forcën më të madhe të opozitës.
“Jam i qartë në qëndrimin tim…”, thotë Koçiu në një prononcim të shkurtër për Sarandacity, duke i mëshuar se është qëndrimi i tij dhe jo i degës së PD-së që ai drejton.
Sipas tij, Basha morri për Berishën një vendim nën presion amerikan dhe ishte më i duhuri që mund të merrej në këto rrethana. Por ai tenton të bëjë një korrigjim në narravitën e përgjithshme gazetareske, e cila thekson “largimin” ose “përjashtimin” e Berishës nga Basha.
“Jo, është pezullim nga grupi parlamentar”, sqaron Koçiu. Pra “pezullim”, sipas arsyeve të dhëna nga Basha, artikuluar nga ky i fundit si “deri në sqarimin e plotë të vendimit të Departamentit të Shtetit”. Pra, shpalljes “non grata” të liderit historik demokrat.
Koçiu nuk e pranon kostumin e militantit të sëmurë në staturën e tij politike. Pra, s’pranon të gjykohet si i këtij apo i atij, me këtë apo me atë. Pra, me Berishën apo me Bashën.
Për të, Berisha është lideri i padiskutueshëm i 30 viteve post-komunizëm. Dhe për të ky është thjesht një gjykim politik. Nga ana tjetër, Basha ka vepruar drejt në një kontekst të caktuar, i ndodhur nën presion.
Por sipas Koçiut, më e mira do qe që, gjykuar dhe nga përvoja e gjatë politike, Berisha ta zgjidhte vetë si situatë, pa ia lënë Bashës barrën e rëndë.
Në raporte ndërpersonale, më sfond politik sigurisht, kryedemokrati i Sarandës, me një përvojë të dikurshme si dy herë kryekomunar i Ksamilit, është më afër Berishës për shkak të besimit që ky i fundit i ka dhënë si dy herë i zgjedhur, por momenti politik i tanishëm e do që t’i jepet të drejtë Bashës, jo pse ky i fundit ka dashur të bëjë aktin e pezullimit, porse nuk ka patur zgjidhje tjetër.
Sa për mosprezencën e tij në mbledhjen e Bashës me krerët demokratë të rretheve, zhvilluar pak ditë më parë, Koçiu thotë se nuk ka patur ndonjë arsye politike për të mos qenë, ka qënë thjesht një arsye shëndetësore, siç e sqaron ai.
Kryedemokrati i Sarandës, i komanduar për momentin si i tillë, beson se PD do e tejkalojë këtë furtunë të brendshme dhe nuk do përçahet. /sarandacity.al/