Policia e Qarkut Vlorë njofton mbi një operacion që ka çuar në shpëtimin e jetëve njerëzore që ndodheshin në një peshkarexhe në Gjirin e Gramës në Jon.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi i vijnë në ndihmë një mjeti peshkimi që po përmbytej, duke vënë në rrezik jetën e disa personave.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me rojet bregdetare, kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det kanë bërë të mundur gjetjen e mjetit të peshkimit, në vendin e quajtur ‘Gjiri i Gramës’.
Tre personat që ndodheshin në mjetin e peshkimit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë po merren masa për transportimin e mjetit të tyre lundrues”, thuhet nga Policia. /sarandacity.al/