Plagosja me pistoletë e 27-vjeçarit Tauland Beqiri në 13 gusht në Ksamil, tashmë nuk ka asnjë person në qeli.
28-vjeçari Edison Vyzaj dhe 24-vjeçari nga Sri Lanka, Makaëitage Kalpa Chethiya Eishvajith Perera Ejiewrdana, janë lënë të lirë me vendim të gjykatësit Fatmir Ndreu disa ditë më parë.
Ndërsa ditë më vonë është lënë i lirë edhe vetë Tauland Beqiri, i cili mbahej në masën “Arrest në shtëpi”.
Prokurori Ilir Hoxha deklaroi se ekzistojnë kushtet për zbutjen e masës së sigurimit ndaj Tauland Beqirit, duke kërkuar masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” tashmë vetëm për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi ajo “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” për një sasi prej 1.5 gram “cannabis sativa” ka rënë, për shkak se Edison Vyzaj ka rezultuar përdorues dhe sasia e sekuestruar ishte tepër e vogël.
Gjykatesi Fatmir Ndreu, në përfundim të seancës ka pranuar kërkesën, duke u dhënë masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore një herë në muaj, ditën e premte të javës së parë” për Beqirin.
Sipas Policisë, “Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në një dhomë hoteli në Ksamil, shtetasi Edison Vyzaj ka plagosur me armë zjarri shokun e tij, shtetasin Tauland Beqiri, ndërsa shtetasi Makaëitage Perera ka fshehur armën e zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje. Gjithashtu, shtetasi i plagosur Tauland Beqiri, pasi është dërguar në spital, ka refuzuar të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes”.
Sipas dosjes hetimore, Edison Vyzaj tregon se plagosja ndodhi nga pakujdesia dhe se nuk kishte në plan ta lëndonte shokun e tij të ngushtë. Autori i plagosjes, Edison Vyzaj ka treguar përpara hetuesve të gjithë kronologjinë e ngjarjes se si ai ka dashur t’i heqë pistoletën nga dora Tauland Beqirajt dhe gjatë tentativës, arma është shkrepur padashje. /sarandacity.al/