Vështirë e kuptueshme, e gjithashtu e kapërditshme ajo që ka ndodhur në hyrje të Sarandës, nga Gajdari në ngjitje për Metoq, ku janë shkulur pemët e mbjella anës rrugës, ato në trotuaret e reja, që, sipas asaj çfarë informohet prej qytetarit të parë, kryebashkiakut Gurma, qenkan blire.
“Persona të papërgjegjshëm kanë kryer gjatë natës një gjest shkatërrues me gjelbërimin e qytetit. Janë thyer e dëmtuar me dashje më shumë se 10 pemë bliri, të mbjella në rrugën hyrëse të Sarandës, akt revoltues për këdo. Strukturat e Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit po kryejnë procedurat e nevojshme, për vënien para ligjit të keqbërësve, ndërkohë që po merren masat për zëvendësimin e tyre.
Të gjithë bashkë kundër papërgjeshmërisë”, shkruan Gurma në një reagim në rrjete.
Dhe në fakt është e turpshme, deri dhe e dhimbshme për një qytet, ku bashkëjetesa me të bukurën duhet të qenë norma e padiskutueshme e jetës qytetare, hem prej një tradite e hem prej një domosadoshmërie si qytet me prurje turistike, e cila turizmin e ka dhe bazë të ekonomisë.
Është ky rasti ku Policia duhet të shfaqë të gjithë aftësinë e saj, për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe gjetjen e autorëve.
Tek ndëshkimit shembullor për ta, ka dhe një kuriozitet: ç’i ka shtyrë ta bëjën këtë të pabërë?!
Ndërkohë, në një aspekt qytetar, qytetar më shumë se politik, duhet të reagojë dhe opozita për ta dënuar këtë akt. /sarandacity.al/