Sot ai qëndron i përjetësuar në mermer. Aty në qendër të fshatit Mesopotam. Gjithkush që kalon andej i thotë “Mirëmëngjes Mihal, Si u gdhive o trim?” Ai u buzeqesh. Mbi supet e tij 28 pranvera, 28 trëndafila që nuk vyshken. Dallëndyshja e parë e demokracisë për fshatin. Mihal Shqevi…një filiz jete që shkeli pragun e demokracisë dhe u shua..Kur vjen dhjetori i demokracisë, fshatarët e tij i vendosin një buqetë me lule. Se Minoriteti e solli demokracinë me gjakun e djemve të Alikos dhe sakrifica jetësh të humbura në dëborën dhe akullin e Shtugarës për të kaluar telat me gjemba të diktaturës…
..Ishte duke kapërcyer pragun e vet 90-ta. Një vit i çuditshëm, i frikshëm dhe i trazuar. Në sfond po afrohej e dëshiruara demokraci e endërruar aq shumë nga të gjithë, sidomos nga rinia. Guximtarët e parë nga Minoriteti iu sulën telave me gjemba si shqiponja. Disa u gjakosën, disa ngrinë në acar, por shtegun e hapën…
Fundi i tetorit ishte. Mërdhinin mbrëmjet, ngrinin mëngjeset por gjaku i demokracisë qarkullonte furishëm. La bagëtinë edhe Mihali. Vendi lëvizte, pëshpërima, agoni dhe panik të mbeshtjella me mister. Dhe Mihali mbante fshehur sekretin e tij. 28 pranvera mbarte mbi supe. Si ato lule të mrekullueshme që zbukuronin oborrin para shtëpisë së tij të varfër.
Sekretin e tij kujt t’ia thoshte? Të kriste zemrën e nënës së tij të ëmbël? Nuk duroi të futet në shtëpi. Që nga dera e jashtme e drunjtë thirri. Nuk mund të ikte pa i puthur dorën nënës, t’i shihte sytë e saj të dhimbsura. U shastis aty në prag për ca çaste. Ja ku doli nëna. Nuk u afrua ta shtrëngoj në kraharor. Nuk do të duronte. Nuk do t’i mbante lotët. Zemra i rrihte fort. “Mirupafshim nënë, mos u mërzit”. Nëna e tij ngriu në vend.”Prit Mihali im, të paktën një puthje në sy”. Por ai u bë erë. Nuk do të duronte dot. Në një shtyllë të hardhisë u mbajt se iu morën mendtë. Lotoi. Tutje në, jugperëndim horizonti u nxi, u bë katran. Ai vraponte. Një rrufe ndriti horizontin e nxirë. “Shpirti im”, murmuriti nënë Maro dhe u fut e zbehur duke u dridhur në shtëpi. Kështu si erë iku atë mbrëmje Mihal Shqevi nga Mesopotami.
Natën vonë hynte nëntori. Mihali iku. Ikja e tij do të ishte pa kthim. Në natën e errët të frikshëm kaloi telat me gjemba dhe shkeli tokën greke që e kishte endërruar aq shumë. Acari dhe i ftohti ishin të fortë. E vunë në gjumë. E bënë bust të demokracisë. Aty ngriu ëndrra e tij për liri. E gjetën disa filiatiotë. E morën si birin e tyre. E varrosën me nderime. E vajtuan si djalin e tyre. Ndërsa çdo ditë filiatiotët çonin buqeta me lule te varri, nënë Maroja dhe babai i tij Panajoti prisnin ndonjë haber nga djali. Ndërsa një ditë miqtë nga Filiati ia sollën ..me lotë në sy.
Dhjetori është muaji i demokracisë. Buqeta me lule stolisin edhe mermerin e Mihal Shqevit që rri aty i përjetësuar në mes të fshatit të tij të lindjes.
Panajot Boli – /sarandacity.al/