Pasi rregulloi në sekretariate disa nga ministret e kabinetit “Rama 2”, qeveria po mendon dhe për kandidatët që mbetën pa një mandat deputeti në zgjedhjet e 25 prillit, shkruan A2 CNN.
Adnor Shameti, i cili nuk u kandidua për deputet në qarkun e Beratit, është emëruar së fundmi këshilltar ligjor në Kryeministri. Por, Shameti nuk është i vetmi nga radhët e socialistëve që mbetën pa mandat.
“Unë isha një hero i vogël që duhej të sakrifikohej për të mirën e partisë”, tha Ervin Bushati.
Partia nuk e harroi heroin e vogël të saj. Ish-deputeti i Tiranës u emërua pak ditë më parë drejtues i Postës Shqiptare, duke ndërruar karrigen me deputetin e sapozgjedhur Laert Duraj. Para tij, një tjetër Bushat në PS, Ditmiri, u bë pjesë e Kryesisë së partisë, ndërkohë që më herët kryesocialisti as nuk ishte bërë pjesë të listës së kandidatëve.
Me post është shpërblyer dhe Dallëndyshe Bici, kandidate në zgjedhje për qarkun e Tiranës, e cila pas zgjedhjeve u emërua si zëvendësministre e Mbrojtjes.
Në pritje të një posti janë dhe disa nga të besuarit e tjerë të socialistëve, si Alket Hyseni dhe Plarent Ndreca, përfundon A2 CNN.
Kujtojmë se ish-deputeti i Sarandës u largua vullnetarisht nga lista kur pa që emri i tij në renditje kishte zbritur në zonën e rrezikut, apo ndoshta pamundësisë për të fituar.
Megjithatë, ai zgjodhi të bëjë fushatë, ama vetëm për Ramën e PS-në e jo kolegët lokalë. /sarandacity.al/