Kryemistri Rama paralajmëroi një vizitë në Lazarat pas disa ditësh, në kuadër një turi falenderues për fitoren e radhës në zgjedhjet lokale, duke nisur me Shkodrën.
Po pse në Lazarat, aty ku ai s’ka shkelur kurrë, një bastion i PD-së në jug, të cilin do e ç’kanabizonte në 2014-ën?
Shpjegimin e dha në një dalje për media, ku komentoi fitoren e së dielës.
“Ka pasur një përgjigje interesante nga Lazarati….në Lazarat rezultati është domethënës në favor të kundërshtarëve, por dhe rënia e atyre që kanë vajtur nuk është pa domethënie”, tha Rama, duke dhënë të kuptuar se është përqafuar mesazhi i tij për mos iu qasur dyshes Berisha-Metaj. Për këtë arsye tha se “pjesë e turit tim do jetë patjetër dhe Lazarati”.
Ndërkohë, për çështje e nxehtë të Himarës, Rama iu përgjigj Greqisë duke i kujtuar se për Belerin vendos drejtësia e jo ai, siç dhe për bashkiakët socialistë që kanë shkuar në SPAK apo janë dënuar për shkelje të ndryshme.
“Institucionet e drejtësisë mund të kenë të metat e tyre, por askush që nga unë i pari që s’i kam kontestuar, e lëre pastaj nga jashtë Shqipërisë. Nuk ka drejtësi të ndryshme për shqiptarët dhe për ato me shtetësi greke. Do flas pasi të përfundojnë zgjedhjet në Greqi”, tha Rama, duke kujtuar se procesi i rregullt zgjedhor dhe fitorja e Belerit tregoi standartin e lartë të garantuar nga qeveria aty.
“Zgjedhjet në Himarë kanë treguar diçka krejt tjetër që askush nuk do që ta verë re. Ato janë zhvilluar me qetësi të plotë. Aty është votuar pa asnjë pengesë, pa asnjë incident. Aty kanë qenë përfaqësues të trupit diplomatik me të drejtën e tyre si vëzhgues. Aty kanë qenë gazetarë nga të gjitha mediat shqiptare dhe greke.
Aty ka qenë një lider lokal, i cili ka mbajtur televizionet gjallë me bomba tymuese për atë çka po ndodhte po që askush nuk po e shihte askund. Aty kanë qenë dhe forcat e policisë që kanë garantuar gatishmëri për çdo rast dhe aty është bërë një numërim transparent, paqësor pa asnjë problem. Në fund, aty ka fituar me një grusht votash, nuk ka rëndësi, kandidati kundërshtar me qeverinë. Kjo hedh poshtë totalisht çdo lloj argumenti të sforcuar se aty është bërë një përpjekje për të marrë me metoda ekstra ligjore dhe ekstra elektorale nga ana jonë një fitore e cila nuk ka të bëjë fare me masën e dhënë nga gjykata me kërkesë të prokurorisë për kandidatin në fjalë”, argumentoi Rama. /sarandacity.al/