Edmond Abazi, 33-vjeç, i njohur me pseudonimin “Monçe”, do të vazhdojë të qëndrojë në burg.
I arrestuari që në gusht nga policia për “dhunë në familje” është transferuar në Burgun e Bënçës, pasi në paraburgimin e Sarandës, gjatë kohës që mbahej në qeli, goditi një gardian për shkak të detyrës.
Nga Burgu i Bençës, ai ka tentuar të lehtësojë pozitat lidhur me çështjen për të cilën u arrestua fillimisht, atë “dhunë në familje”, konkretisht ndaj nënës së tij.
Ne 22 gusht, Gjykata e Sarandës e la në burg, vendim që u la në fuqi edhe në Apel në 10 shtator e serish nga Gjykata e Sarandës në 19 tetor.
Por në 17 nëntor, nga Burgu i Bënçës, Abazi ka kërkuar sërish zëvëndësim mase sigurimi.
Duke pretenduar se rrethanat kanë ndryshuar, marrëdhëniet nënë e bir janë rregulluar (nëna e personit nën hetim, viktimë e veprës penale ka caktuar me Prokurë të Posaçme një përfaqësues për djalin e saj, personin nën hetim, pikërisht për këtë çështje penale. Por kjo prokurë sipas Gjykatës së Sarandës, nuk përbën shkak për zbutjen e nevojave të sigurimit.
Në tentativë për të ndryshuar këtë vendim të Sarandës në Apel, Abazi ka bërë kërkesë e cila është regjistruar në 17 nëntor. Por në 23 nëntor kjo kërkesë është rrëzuar nga Gjykata, pasi përpara fillimit të seancës gjyqësore, gjykata e Apelit është njohur me “Deklaratën për mosparaqitje në seancë” që personi nën hetim ka lëshuar në I.E.V.P Tepelenë, sipas së cilës nuk do të marrë pjesë në këtë seancë dhe kërkon të tërhiqet nga kërkesa që ka paraqitur.
Kështu, Edmond Abazi, një person me precedentë të shumëfishtë si “plagosje e rëndë”, “vjedhje”, “armëmbajtje pa leje”, “kanosje”, “shkatërrim prone”, “dhune në familje”, “goditje për shkak të detyrës” dhe “shkelje të rregullave te qarkullimit rrugor” do të vazhdoje të qëndroje në qeli. /sarandacity.al/