Pak ose aspak është folur deri më tani mbi fitilat e hekurta në shumë prej ndërtimeve në Sarandë.
Disa prej tyre i kanë për shkak se janë ndërtim e sipër, disa janë të përfunduara, por që fitilat janë lënë jashtë për një tjetër ditë, një tjetër kohë, duke synuar në të ardhmen me kate të tjera.
Por ndërsa llogaritë personale vijojnë, qyteti ka pësuar një krim estetik për të cilin ende nuk flitet, nuk reagohet.
Eshtë gati një masakër estetike po aq sa depozitat e ujit mbi pallate, apo dhe më tepër, ndërkohë që motivet janë të ndryshme. Nëse depozitat mund të justifikohen deri diku, kjo për shkak të ende mosfurnizimit me 24 orë ujë, çka më pas mund të detyronte shtetin që, nisur nga premisat turistike t’i hiqte dhe me pahir, te fitilat nuk ekziston kjo rrethanë.
Fitilat janë tabiate të llogarive personale në dëm të së përgjithshmes. Kudo mund të ketë ndërtime pa kriter, produkte të një kohe të caktuar dobësie shteti, madje dhe në Europë – siç ka qenë dhe rasti me Rivierën franceze njëherë e një kohë, sigurisht jo në përmasat tona – por fitila, lënë jashtë me vite dhe kthyer në një shëmti ndër më të rëndat për qytetin, nuk ka kund tjetër precedent.
Dhe ndërsa për heqjen depozitave është kusht uji 24 orë, në këtë rast shteti s’u detyrohet asgjë fitilënësve jashtë. E kundërta, mund t’i detyrojë, me një urdhër, që brenda një afati të caktuar kohor, si domosdoshmëri etike urbane në funksion të turizmit, fitilat duhet të zhduken.
Eshtë koha që Saranda ta ketë alarm estetik çështjen e fitilave, siç ka depozitat, e siç ka dhe fasadat shpëlara apo të degraduara të pallateve. /sarandacity.al/