Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua parlamentit shqiptar, duke patur si finale një “Faleminderit Shqipëri!” për gjithçka ka bërë vendi ynë deri më tani në përkrahje ndaj vendit të tij të agresuar nga Rusia.
Por njëherësh, pas vendimit të qeverisë shqiptare për të hequr vizat me Rusinë në funksion të sezonit, ai kërkoi që Shqipëria që të mos pranjë turistë rusë e të përpiqet sa mundet e ku mundet t’jua kufizojë rusëve hapësirat në Shqipëri.
“Bandat ruse duhet të shkëputen nga tregu global. Ju duhet të hiqni mundësisë Rusisë në kohën e duhur.
Ju kërkoj që të kufizoni portet për anijet ruse dhe të kufizoni ardhjen e turistëve, sepse ju nuk e dini se kush hyn. Ndoshta vijnë vrasës të Bucha-s, apo të Irpin, apo xhelatët e Mariupolit.
Ne nuk devijuam nga rruga evropiane dhe jemi të përkushtuar për një Evropë të bashkuar dhe besoj se kur të vijë koha për anëtarësimin e Ukrainës në BE, vota juaj do të jetë mbështetëse. Ka nga ata që janë të vegjël në hartë por kanë në zemër një mirësi më të madhe. Faleminderit Shqipëri!”, tha Zelensky.
Fjalimi i presidentit në luftë u ndoq pothuajse nga një parlament i plotë në pjesëmarrje, edhe me opozitën gjithëaq të pranishme.
Më herët, në fjalën e tij, Rama solli në kujtesë një bisedë mes tyre.
“I dashur miku ynë Presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre.
‘Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!’, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë.
Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet”, tha ndër të tjera i pari i qeverisë shqiptare. /sarandacity.al/