Sotir Qirjazati mbetet një figurë mjaft interesante dhe e spikatur e minoritetit. Pas viteve ‘90 ai ishte lideri kryesor i tij, një politikan i kompletuar pa eksese etnike, i ekuilibruar dhe me kulturë demokratike.
Ky komunitet e mban mend për politikën largpamëse, të matur duke gëzuar reputacion edhe në arenën nderkombëtare në krye të organizatës OMONIA. Edhe politika shqiptare e ka respektuar dhe vlerësuar për qëndrimet e tij në stabilizimin e situatave në jug të vendit.
Bashkia e Finiqit e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Livadhjasë.
Ai erdhi në politikë pas “universitetit” qe kreu në burgjet e diktaturës komuniste. Paçka se ishte drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Sarandë, ai nuk mundi t’i mbante të lidhura mendimet e tij të lira demokratike, aq me tepër ku abuzohej me të drejtat e minoriteti nga partia në pushtet.
Në një rreth të ngushtë, ata diskutonin hapur për këto spekullime. Ata arritën të nisin edhe një letër kryeministrit grek për situatën në Shqipëri dhe gjendjen minoritetit. Por Sigurimi, i cili kishte kohë qe e përndiqte këtë grup intelektualesh, arriti të indentifikojë se letra u shkruajt nga Sotiri dhe grupin e tij. Ndaj, atyre iu hodhën prangat.
Një veçori i tij, perveç kulturës së madhe filozofike, zotëronte edhe një humor të hollë por të fuqishëm, që i shkonte në shtat groteskut.
Kujton një kolegu im se në ‘97, nga ngjarjet e mëdha dhe të dhimbshme që po ndodhnin, kryesia e OMONIA-s ishte mbledhur për të vendosur nese deputetet e saj do të uleshin apo jo në “parlamentin e Berishes”. Një pritje e gjatë para zyrave në Sarandë nga gazetarët. Del kryetari Sotir Qirjazati, i qetë dhe me një hap të ngadaltë. Pllakos një qetësi dhe mikrofonat iu drejtuan atij. Ai ishte tepër konçiz:
“Ne kemi marrë një vendim: që të mos marrim asnjë vendim!”.
Kaq ishte deklarata e tij.
Siç thamë, Sotiri ka punuar drejtor i Shtëpisë së Kulturës në vitet ‘70. Më ka ngelur në mendje një episod qe më tregoi i ndjeri, kur e takoja dhe kisha kënaqësi të mirrja mendime dhe intervista.
“Ishte e diel dhe ishte shpallur një aksion i madh në fushën e Vurgut. Mbjellja e misrit me kubik. Gjithë në këmbë. Me agjitacion të frymëzonim aksionistët dhe të jepnim një gjallëri dhe pamje festive. ‘Emulacioni…’, bërtiste Jashari(Mezenxhiu), Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë. Në krye të grupit të emulacionit vunë mua dhe Guro Zenelin, kryeredaktorin e gazetës “Fitorja”.
Menduam të ngremë qendren e emulacionit në fshatin Kulluricë, si pikë dominuese për Vurgun ku mbillej misri me kubik.
Qendra e Zërit duhej të jepte raportime të dalluarish, brigada, informacione, këngë revolucionare etj. Por sa hapëm gjëmuan artopalantët, na ndodhi një e papritur jo e këndshme: gomerët e Kulluricës iu përgjigjën me të pëllitura si një orkestër frymore.
Menjëherë iu përgjigjën ato të Livadhjasë. Solidarë u bënë edhe ato të Lefter Talos, Sopikut, Halos… Gjëmonte fusha nga artopalanti ynë dhe pëllitja e gomerëve
‘Ç’bëjmë tani’, më pyeti Guroja i shqetësuar.
‘Fike, fike, na mori historia’, i thashë
‘Ç’thua? Nesër të jemi në sallën e … Ishalla s’i vete mendja ndonjë nga ata të medhenjtë’
Me zemër të ngrirë pritem..Asnjë haber. Ia kishim hedhur. Pas ca ditësh kur e panë se rreziku kishte kaluar bashkë me ankthin tonë, tek pinim kafe me Guron, shikonim njëri-tjetrin pa folur dhe qeshnim”.
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/