Llaqi Gurma, ose thjesh Llaqi siç i thërrisnin në qytet, ishte ndër ata qytetarë që famën e tij e kish të bazuar jo te statusi i lartë shoqëror por te thjeshtësia, ajo e zakonshmja e jashtëzakonshme.
Ishte një njeri gjithnjë me energji pozitive, çfarë është më kryesorja.
Bisedat që bënte karakterizoheshin si të këndshme, pasi e kishte me shumë dëshirë të sillte fakte apo argumente që i bazonte në njohuritë e tij.
Llaqi ka punuar fillimisht në Parkun e Sarandës, si tornitor, për t’u bërë më pas shofer. Dhe si i tillë, ai gëzonte prestigjin e një njeriu në timon të lidhur edhe pas librit.
Për këtë arsye, Llaqi Gurma mund të konsiderohej një njeri i lexuar, pasi shfletonte rregullisht literaturë historike, gjeografike dhe sidomos artistike.
Në shtëpinë e tij gjendet një bibliotekë shumë e pasur, me standartet e një familjeje intelektuale.
Në rininë e tij ka qenë pjesëtar i ekipit të notit Butrinti, ku nën drejtimin e trajnerit të shquar të notit Esat Mamaca, ariti të thyente rekorde në disa stile.
Ishte dhe pak qejfli i pijes, por në finale, karakteri dhe cilësitë e bënin ndër ata qytetarë gjurmëlënës në Sarandë. /sarandacity.al/