Një amerikan 58-vjeçar u bë së fundmi personi i dytë që u pajis me zemrën e një derri të modifikuar gjenetikisht.
Ashtu si operacioni i parë në botë, në janar 2022, transplanti u krye në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland në Shtetet e Bashkuara. Pacienti i parë që pati një transplant të tillë, David Bennett, vdiq dy muaj pas operacionit.
Më shumë se 100,000 amerikanë janë në listën e pritjes për transplantim organesh. Mungesa e organeve të donatorëve ka bërë që shkencëtarët të hetojnë ksenotransplantimin, domethënë përdorimin e organeve të kafshëve për transplantim te njerëzit.
Transplanti i dytë i zemrës nga derri te njeriu u bë të mërkurën, më 20 shtator.
Lawrence Fawcett, një veteran i Marinës, nuk kishte asnjë shpresë për të mbijetuar pasi u diagnostikua me dështim të zemrës në fazën përfundimtare dhe u konsiderua “i papërshtatshëm” për një transplant të zemrës njerëzore. Si e tillë, zgjidhja përfaqësonte “opsionin e vetëm” që kishte, sipas njoftimit për shtyp.
“Të paktën tani shpresoj për diçka, kam një shans,” tha Fawcett përpara operacionit.
“Nuk kemi asnjë pritshmëri tjetër veçse të kalojmë më shumë kohë bashkë…”, tha e shoqja, “… ulur në verandë dhe duke pirë kafen bashkë.
Lawrence Fawcett tani po merr frymë pa mbështetje mekanike dhe zemra e re po funksionon mirë, sipas mjekëve që e trajtojnë. Ai po merr imunosupresantë dhe “një trajtim të ri antitrupash” për të mbajtur trupin e tij nga refuzimi i transplantit.
Kjo është, në fund të fundit, arsyeja pse transplanti vjen nga një derr i modifikuar gjenetikisht, për të kufizuar rrezikun e refuzimit.
Kohët e fundit, transplantet e veshkave nga derrat e modifikuar gjenetikisht janë kryer te pacientët me vdekje të trurit.
Më 16 shtator, Instituti i Transplantit në Qendrën Mjekësore Langone në New York njoftoi se 32 ditë pas transplantimit të një veshke nga një derr i modifikuar gjenetikisht në një pacient të vdekur nga truri, transplanti ishte ende duke funksionuar pa probleme, duke nënvizuar se si u thye rekordi i mëparshëm. /sarandacity.al/