Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë disa nga tendencat që po shoqërojnë këtë vit reflektuar kjo në shifrat e mbledhura nga strukturat akomoduese. Kështu numri i rezidentëve në strukura akomoduese u rrit me rreth 11 për qind ndërkohë që numri i jorezidentëve që shënoi nivelin 97 mijë në tremujorin e dytë mbetet pak më shumë se gjysma e asaj të vitit 2019. Sigurisht në raport me vitin 2020 kur Shqipëria ishte nën efektin e karantinës dhe kufizimeve shifrat e 2021 sa i takon tremujorit të dytë janë dukshëm të larta.
“Në tremujorin e dytë 2021, treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese, paraqiten si më poshtë: Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 3,9 herë, në krahasim me tremujorin e dytë 2020. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezident është rritur me 2,4 herë; numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 8,9 herë;
Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 3,9 herë, në krahasim me tremujorin e dytë 2020. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 2,1 herë; numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 9,7 herë” thuhet në publikimin e INSTAT.
I njëjti nënvizon se sa i takon vizitorëve gjatë tremujorit të dytë 2021, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 3,9 herë, krahasuar me tremujorin e dytë 2020. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë prej 6,6 herë. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 5,1 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Akomodime për pushime dhe të tjera akomodime kolektive” ka shënuar rritjen më të lartë prej 5,7 herë.
“Në tremujorin e dytë 2021, numri më i lartë i vizitorëve rezulton: sipas rajoneve në “Rajonin e Qendër“ (43,1 %); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (63,4 %); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (96,2 %)” thuhet në publikim.
Netë qëndrimet në rritje
INSTAT vlerëson se ka një rritje edhe të netë qëndrimeve në struktura përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti në raport me vitin 2020. Gjatë tremujorit të dytë 2021, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 3,9 herë, në krahasim me tremujorin e dytë 2020.
“Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 4,7 herë. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 3,2 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hapësirat për kampingje, për parqe, për çadra ose rulota argëtimi” ka shënuar rritjen më të lartë prej 5,5 herë”
Në prill-qershor interesi drejt detit
Në periudhën prill-qershor interesi i turistëve duket se ka qenë drejt detit dhe kryesisht në sy bie Durrësi që është në rajonin qëndror. Në raportin det apo mal i pari dominon.
“Në tremujorin e dytë 2021, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar: sipas rajoneve në “Rajonin e Qendër“ (44,9 %); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (71,9 %); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (95,0 %)” thuhet në dokument.
Norma neto e shfrytëzimit
“Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij tremujori, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 12,3 %, kundrejt 4,4 % që ishte në tremujorin e dytë 2020. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 11,4 %, kundrejt 4,6 % që ishte në tremujorin e dytë 2020” vlerëson INSTAT.