Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se së shpejti do të nisë vaksinimi i stafeve të sektorit të turizmit dhe hotelerisë, në mënyrë që turistët të ndihen të sigurt dhe të operojmë edhe këtë sezon me kufijtë të hapur.
Ai zhvilloi një takim me shoqatat në fushën e turizmit, hotelerisë, operatorëve turistikë dhe restoranteve, ku theksoi se fillimisht do të vaksinohet stafi që në industrinë e turizmit ka kontaktin e parë me operatorët turistikë.
“Do të dëshironim shumë që të ishim një vend nga të parët në rajon edhe natyrisht me një iniciativë unikale mbase edhe në Europë, ku hoteleri turizmi të vaksinohet i pari; të kemi mundësinë që të jemi ashtu si në vitin e kaluar një vend me kufi të hapur, një vend që pret turistë natyrisht nga i gjithë rajoni si zgjedhje e tyre e parë, por edhe tregje që tashmë i kemi konsoliduar”, u shpreh ministri Klosi.
Ai theksoi se shoqatat e turizmit duhet të hartojnë një listë të hoteleve të cilat kanë kontratat më të sigurta me operatorët turistikë. /sarandacity.al/