Vasil Pilos nga Kostari iu prenë endrrat që kur i hodhën prangat në babait të tij, Ziso Pilos, në 1962.
E akuzuan se ishte në agjenturën greke. Plot 25 vjet burg. Edhe vëllanë ia kthyen nga universiteti dhe përfundoi në Minierën e Kripës.
Zisoja kish një gomar që zbriste poshtë në arë dhe me të mbante familjen. Ndizte edhe kandilet në kishë dhe kujdesej për kishën e Shën Jorgjit që ishte ngjitur me Manastirin e Shën Mërisë.
Sa herë i çonte ujë dhe bukë Vasili i vogël dhe ai në krye të çatisë meremetonte tjegullat, i thoshte: “Ta duash djali im dhe të kujdesesh për të, është shtëpi e Zotit’’
Ndodhi ajo që ndodhi dhe Zisoja në burg derdhi lot për kishën e tij që e kishin rrënuar.
Në 1987 u lirua dhe, kur kaloi para kishës së shkretuar, iu drodh shpirti. Thirri veças Vasilin dhe i tha: “Amanet djali im: ti duhet ta ringresh Shën Jorgjin përsëri dhe ma ruaj ikonën e Shën Mërisë që e kam fshehur këtu në shtëpi’’ dhe i tregoi vendin.
Dy ditë me vonë, babai i Vasilit vdiq. Në shpirtin tashmë të Vasilit rëndonte amaneti i babait. Në ’90-ën mori edhe ai rrugën e mërgimit. Mori sqepar dhe punoi në ndërtim në Greqi.
Motiv i jetës se tij ishte mbajtja e premtimit. Vuri kursime mënjanë. Krijoi një shoqatë joqeveritare për të ndihmuar fshatin e tij dhe trevat e Minoritetit. Kursimet, bamirësitë, veprimtaritë me kalendare sensibilizuese, librat dhe revistat për vendin qe kishin nevojë, dhanë rezultate. Të parën ndërtoi kishen e Shën Jorgjit, amanetin e babait. Tashmë Vasili do ta bëj shpesh rrugën Athinë –Kostar.
Vazhdoi me më ngulm rrugën e bamirësive, investoi për rrugën Mesopotam – Kostar, për botimin e librave, një kënd lojrash në Karroq, restaurimin e kishës së Velahovës, dha ndihma për fëmijë jetim e tjera.
Duke fituar besimin e një shoqate joqeveritare serioze me aktivitet të dobishëm, Ministria e jashtme greke i besoi disa vepra në jug të Shqipërisë, si rikonstruksionin e kanalit vaditës “Thoma Filipeu’’ me tri faza, shkollën e mesme në Belsh, shkollën fillore dhe qendrën shëndëtësore në Lekdush të Tepelenës e tjera.
“Të gjitha këto i bëra me gjithë shpirt, punova me ngulm dhe veshtirësi të shumta. Ndjehem i kenaqur që bëra diçka për vendin tim. Mbi të gjitha, jam i qetë në shpirt se plotësova amanetin e babait tim. Besoj edhe ai andej lart nga më shikon dhe duhet të ndjehet lumtur dhe krenar për mua’’.
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/