Sot, si në nivel kombëtar e si në lokal, PS do të ndalojë çdo aktivitet elektoral. Kjo, pas jetëhumbjes së Bashkim Finos, një prej figurave më të larta të kësaj force politike.
“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më!
Nuk kam fjalë.
Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”, shkroi kryeministri Rama.
59-vjeçari Fino ishte infektuar prej disa ditësh me COVID dhe gjendja e tij ka ardhur duke u rënduar deri në humbjen e jetës.
Deputeti socialist, Bashkim Fino është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare. Ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar.
Po cili ishte politikani gjirokastrit, ku ndër të fundit detyra të rëndësishme nën qeverisjen e Ramës, kishte reformën e pushtetit lokal:
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër.
Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë.
Në vitin 1992, Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996. Nj vit më pas do të ishte kryeministër i Shqipërisë, i thirrur në kushte të jashtëzakonshme për ta kryer këtë detyrë, e këtë nën qeverisjen e PD-së. Ai e mbajti postin e të parit të qeverisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997.
Qeveria pakmujore që ai drejtoi quhej e “Pajtimit Kombëtar”.
Paralel, ai pati dhe një karrierë në Partinë Socialiste. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së PS-së.
Ndërkohë, nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.
Në politikë konsiderohej një figurë e ekuilibruar, pa qenë personazh përplasjessh me kundërshtarë.
Së fundi, pak vite më parë, kandidoi dhe për kreun e FSHF-së përballë Armando Dukës, por nuk fitoi në garën për këtë post me natyrë sportive.
Bashkim Fino shënon jetëhumbjen më të madhe COVID në politikën e lartë shqiptare. /sarandacity.al/